Aida Dërguti nga Lëvizja Vetëvendosje, Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën, janë tre përfaqësuesit e opozitës që kanë dorëzuar në Kuvend 42 nënshkrimet e deputetëve për mocionin e mosbesimit për Qeverinë e Kosovës. 

Pal Lekaj, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, në konferencën e mbajtur për media në Kuvendin e Kosovës ka deklaruar se janë të bindur që edhe në seancën kur votohet për mosbesimin e Qeverisë do të kenë sukses dhe do ta rrëzojnë këtë ekzekutiv që udhëhiqet nga Isa Mustafa.

“Ne sot e përmbushëm obligimin e rregullores së Kuvendit dhe kemi proceduar mocionin e mosbesimit të Qeverisë. Falënderoj veçanërisht deputetët e pozitës që e kanë nënshkruar. Kontaktet e para që i kemi pasur janë treguar të vëmendshëm dhe atë që e kanë thënë e kanë nënshkruar. Shpresoj se kur të mbahet seanca të rrëzohet kjo qeveri. Jam i bindur se do të ketë sukses

”, ka thënë Lekaj.

 Ndërsa Valdete Bajrami e Nismës për Kosovën shtoi se ka edhe disa deputetë të tjerë që s’kanë nënshkruar për mocionin, por kanë deklaruar se janë të pakënaqur.

“Ka edhe deputetë tjerë që nuk e kanë dhënë nënshkrimin, por kanë deklaruar se nuk janë të kënaqur me ketë qeverisje”,

tha Bajrami.

 Kurse Aida Dërguti e LVV-së, por edhe nënkryetare e Parlamentit pohoi se “presim që në ditën kur të vijë ky mocion në seancë deputetët do të dinë të marrin pozicionin e duhur”.

 Mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditë të Kuvendit, jo më vonë se pesë ditë e as më herët se dy ditë nga data e parashtrimit të tij.

 Konsiderohet se mocioni i mosbesimit është pranuar, nëse për të kanë votuar shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovë – 61.

 Nëse mocioni i mosbesimit dështon, mocioni tjetër i mosbesimit nuk mund të ringrihet gjatë nëntëdhjetë ditëve të ardhshme.

 Nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje./KlanKosova