Vetëm pak minuta pas vendimit të Kolegji Zgjedhor, opozita tha se nuk e njeh 30 Qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Pas takimit me Lulzim Bashën në selinë e Partisë Demokratike, aleatët e opozitës folën për një vendim të marrë nga një kolegj fantazmë. Ata paralajmëruan përshkallëzim të aksionit opozitar duke mos e njohur datën 30 Qershor.

“Kolegji në vetvete është një fantazmë në këtë mes, janë disa fatkeqë që i ka rënë rasti të marrin disa vendime të vështira për veten e vet. Ne do të shkojmë të përballemi në çdo cep të Shqipërisë me këtë Juntë të re politike. Ne këto zgjedhje nuk i njohim, më 30 Qershor nuk do të ketë votime. Rrezikshmëria e këtij grupi është aq e madhe saqë justifikon çdo lloj rezistence.”

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu theksoi se procesi i zgjedhjeve më 30 Qershor, është një grusht shteti. Ai u bëri thirrje ndërkombëtarëve për të ndaluar atë që e quajti krim zgjedhor me pasoja në vend, por edhe në rajon.

“Në 30 Qershor nuk ka dhe nuk duhet të ketë zgjedhje. Edi Rama ka shkatërruar parlamentarizmin. Opozita ka të drejtën të mos lejojë zhvillim të zgjedhjeve. Faktori ndërkombëtar të reagojë për këtë krim zgjedhor. Të ndalohet sa më parë krimi elektoral më 30 Qershor, mund të ketë pasoja në Shqipëri, por edhe në rajon”.

Pjesë e aksionit opozitar janë edhe antimitingjet e opozitës, kudo që Kryeministri Rama do të vijojë fushatën elektorale.

Tv Klan