BASHA-CEZ

Kreu i opozitës Lulzim Basha ka denoncuar marrëveshjen mes qeverisë dhe kompanisë CEZ, si vjedhjen e shekullit, që do t’i shkaktojë shtetit shqiptar një dëm financiar prej 3 miliardë dollarësh dhe me pasoja për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp Basha akuzoi kryeministrin Rama se ka fshehur rekomandimet e bëra nga autoritetet kompetente shqiptare për mbrojtjen e interesave pasurore të shtetit.

Lulzim Basha: “Marrëveshja e qeverisë me kompaninë CEZ është vepër kriminale me autor të plotë të qeverisë Rama. Qeveria Rama – Meta erdhi e përgatirur për të lënë mënjanë arbitrazhin dhe për të negociuar megjithëse deri në atë kohë ishin bërë të gjitha përgatitjet, ishin paguar para për të kontraktuar studio ligjore dhe eksperte të huaj me qëllim auditimin e kompanisë dhe vlerësimin e padive të Cezit. Qeveria ka marrë përsipër ti japë CEZ jo vetëm 95 mln euro por ajo që i falet me faturë të pranuar nga të dyja palët janë: 350 mln euro fatura të papaguara ndaj KESH e OST4.6 milion euro të paguara më parë CEZ meme, 100 mln euro padi e ngritur nga DIA , firma mbledhëse e parave 1.7 miliardë lekë detyrime tatimore, gjyqe të fituara nga autoritetet e tatim taksave. Në total duke përfshirë dhe llogarinë e dëmit shkaktuar Shqipërisë, vlera që i falet CEZ me këtë marrëveshje është 3 miliardë dollarë. Vjedhje e cila në volumin e saj është 600 herë më e madhe sesa vjedhja e raportuar në thesarin e BSH. Krimi i dytë është edhe rritja e çmimit të energjisë lektrike.”

Sipas Bashës,  opozita e mbështet denoncimin e saj mbi fakte  të bëra publike në dy raporte, të cilat tha se, do ti bëjë publike për qytetarët përmes medias dhe internetit.

Lulzim Basha: “Në raport thuhet se paratë e marra me kredi nuk ishin përdorur për të bërë investimet, paratë e mbledhura nuk ishin investuar por ishin transferuar në parajsa fiskale nga kompanitë e kontraktuara nga CEZ. Heqja e licencave nga enti rregullator i energjisë ishte i drejtë. CEZ me dashje shkatërroi kompaninë. Do faktojmë që rama ka hequr dorë nga procedimet penale. Që qeveria i ka fal CEZ-it mbi 500 milion euro, do ju faktojmë se asnje avokat se ka këshilluar këtë qeveri për një gjë të tillë dhe krimi i dytë ka të bëjë me rritjen e çmimit të energjisë.Qeveria i mban të fshehura këto raporte dhe për më tepër sajon fakte dhe trillime të paqena për të manipuluar opinionin publik, por dielli nuk mbulohet me shoshë. “

Sipas kreut të opozitës kjo është hera e parë që në historinë e një vendi,  një konflikt i përmasave të tilla financiare zgjidhet pa një analizë të hollësishme ligjore , me negociata në fshehtësi të plotë dhe pa pjesëmarrjen e avokatit ndërkombëtar të palës shqiptare dhe vlerësuesit financiar.

Ndaj dhe përpara se Kuvendi të miratonte ratifikimin e marrëveshjes, ai u bëri thirrje deputetëve të mazhorancës të mos bëheshin bashkëfajëtorë në këtë krim.  Njëherazi Basha paralajmëroi se opozita nuk do të ndalet deri në zbardhjen e plotë të asaj që e cilësoi vepër penale.

Marrëvëshja e arritur mes kompanisë CEZ dhe qeverisë u kundërshtua edhe nga ish -kryeministri Berisha pak javë më parë në një bashkëbisedim me gazetarët.

Tv Klan