Opozita dhe Aleanca për Teatrin protestoi sërish përpara Bashkisë së Tiranës duke kërkuar dorëheqjen e Kryebashkiakut Erjon Veliaj dhe arrestimin e tij. Sipas këshilltarëve bashkiakë të opozitës, Veliaj është pjesë e aferave në të cilën janë përfshirë disa prej drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, për abuzime me tenderat dhe përfitimet e milionave lekëve përmes kompanisë “5D”.

Por ky tubim përpara Bashkisë nuk kaloi pa tensione e përplasje mes protestuesve dhe uniformave blu. Mbështetësit e opozitës hodhën molotov e lëndë piroteknike në drejtim të Bashkisë, duke tentuar të hyjnë brenda në godinë. Tentativat e protestuesve për të çarë kordonin e policisë dështuan pasi në ndihmë të kolegëve të tyre erdhën edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Lidhur me këtë protestë reagoi edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili publikoi edhe një video ku sipas tij një efektiv policie shmangu tragjedinë duke larguar në momentet e fundit një bombë molotov.

“Asllan Shyti shmangu djegien e kolegëve e të vetes! As e njoh, as më njeh. Shkoi në punë me kolegët e policisë jashtë, si kolegët e bashkisë brenda! Nuk ka problem të protestosh dhe kur je pinjoll i Saliut e Fahriut që e dogjën këtë vend! E drejta jote! Por ka shumë problem kur kërkon të vazhdosh të djegësh për të kompesuar votat e protestuesit që s’të mbështesin”.

Veliaj thekson se skenat e ’97 nuk kanë vend në Tiranën e 2024-ës.

Tv Klan