Lajm i përditësuar

U zhvillua këtë të hënë para Kuvendit protesta e paralajmëruar e opozitës. Në të njëjtën kohë brenda godinës u mbajt seanca plenare. Ashtu siç pritej seanca u zhvillua me debate të forta.

Në seancën plenare të kësaj të hëne u kërkua përjashtimi i Berishës për gjuhën e përdorur.
Berisha tha se skandali i tmerrshëm për çështjen McGonigal, që sipas tij ka përfshirë qeverinë, nuk mund të sfumohet me banalitete.

Në tubim u shënuan tensione në disa raste. Qytetarët u përplasën me efektivët në përpjekje për të çarë kordonin. Ata hodhën drejt tyre tymuese, shashka dhe gurë.

Tensionet erdhën pasi nuk u lejuan që të hyjnë në seancë plenare disa prej deputetëve të Partisë Demokratike të përjashtuar.

Megjithatë situata u qetësua dhe protestuesit i ndoqën punimet e Kuvendit me anë të një monitori të vendosur jashtë.

Protesta e sotme zgjati rreth 2 orë. Në përfundim të saj, Sali Berisha lajmëroi se tubimi i radhës do të jetë të enjten më 16 Shkurt.

Opozita proteston para Kuvendit, tension edhe mes deputetëve në sallë

Ashtu siç kishte paralajmëruar opozita e zhvilloi betejën e saj në dy fronte, jashtë me qytetarët që kishte thirrur në protestë dhe brenda me deputetët në seancë plenare.

Tensionet nisën teksa në hyrje të Kuvendit, Garda nuk lejoi të futeshin në sallë deputetët e përjashtuar nga seanca plenare.

Ndalimi i tyre u bë shkak që protestuesit të përplaseshin me policinë duke tentuar të çajnë kordonin e uniformave blu, që u pasua nga hedhja e flakadanëve dhe lëndëve piroteknike.

E teksa situata jashtë Kuvendit ishte e tensionuar, parlamenti jo pak u ndez edhe debati brenda në sallë, pas rikthimit të energjisë elektrike për shkak të një defekti teknik.

Lindita Nikolla: Ju lutem lironi foltoren.

Debatet mes palëve u ndezën pas një kërkese që deputetet gra të Partisë Socialiste bënë për përjashtimin e Sali Berishës lidhur me një deklaratë të bërë më herët prej tij se ish-zyrtari i lartë i FBI-së McGonigal dhe zyrtare të mazhorancës janë përfshirë në një video erotike.

Anila Denaj: Kërkojmë që organet kompetente të Kuvendit të fillojnë menjëherë procedurat për marrjen e masave disiplinore të përjashtimit të deputetit Sali Berisha nga seancat e Kuvendit të Shqipërisë.

Por kjo kërkesë solli revoltën e demokratëve në sallë. Kaq mjaftoi që seanca të ndërpritej.

Lindita Nikolla: 5 minuta pushim sa të vendoset qetësia në sallë.

Me rinisjen e punimeve Berisha i cili u përfshi në replikë me Ministren e parlamentit tha se videot erotike do ia vërë në dispozicion vetëm drejtësisë amerikane dhe komisionit hetimor të këkruar nga opozita.

Sali Berisha: Asnjë video, asnjë mesazh të natyrën erotike, nuk do e gjeni të publikuar nga Sali Berisha përveç rasti McGonigal, do shkojnë të gjitha në drejtësi, ose krijoni një Komision 2-3 vetë dhe hajdeni të shihni.

Elisa Spiropali: Është e turpshme për një burrë të shpifë, të përgojojë, të shantazhojë gratë. Doktor nuk bëhet revolucion me këto, mblidh mendjen.

Sali Berisha: Elisa pyeti cilës i ka djegur më shumë që të bëj deklaratën që kërkoni.

Taulant Balla: Po të jetë burrë, videot t’i nxjerrë.

Por kaosi që shoqëroi seancën e detyroi  kryetaren e kuvendit të mbyllë seancën, duke përjashtuar nga punimet e parlamentit deputetin Noka.

Toni Gogu: Këtij po i bie ora e drejtësisë ndaj bën kështu. Fjalën nuk ma ke dhënë ti, shko ulu atje.

Lindita Nikolla: Ndërpritet seanca.

Jashtë kuvendit Taulant Balla paralajmëroi se në listën e të përjashtuarve nuk do të  jetë vetëm Berisha e Noka.

Taulant Balla: Ne do t’i drejtohemi nesër sekretariatit që të merren masat.

Sali Berisha pasi la seancën plenare, mesazhin e fundit e bëri përpara protestuesve  që kishte thirrur jashtë parlamentit.

Sali Berisha: Prania juaj këtu i detyroi të largohen nga parlamenti. Herën tjetër, do të duhet t’u marrin leje ju për t’u larguar nga parlamenti.

Pas fjalës së Berishës, protestuesit u larguan paqësisht për tu mbledhur sërisht të enjten në orën 10.00 përpara 

19:51 Berisha lajmëron protestën e radhës: Populli do flasë të enjten para Parlamentit

Pasi përfundimit të protestës para Parlamentit, kreu i PD-së Sali Berisha ka lajmëruar se tubimi i radhës do të jetë të enjten më 16 Shkurt

“Populli foli sot, do flasë të enjten dhe do ketë zërin më të fuqishëm në këtë revolucion. Protesta e radhës do të jetë ditën e enjte para Parlamentit. Nderimin më të madh për të gjithë ata që sot ishin aty dhe bashkuan zërin e tyre me të deputetëve ndaj këtij regjimi. Ishte një moment jashtëzakonisht i veçantë i revolucionit  sonte“, tha Berisha para selisë blu.

Kujtojmë se protesta e ditës së sotme zgjati më pak se dy orë, ku mbetën të lënduar dy efektivë policie.

18:47 – Mbyllet protesta e opozitës

Menjëherë pasi doli nga salla e parlamentit, Berisha iu drejtua protestuesve me një fjalim ku akuzoi qeverinë për çështjen McGonigal. Më pas kryedemokrati iu drejtua selisë së Partisë Demokratike duke shënuar kështu edhe mbylljen e protestës.

“Një përshëndetje të përzemërt. Parlamenti dëshmoi se çfarë përfaqëson sonte. U detyruan të lenë parlamentin, të largohen sepse janë shumë afër me bandat e krimit se me tempullin e demokracisë. Kjo betejë do të vazhdojë, do të vazhdojë deri në fitoren e plotë të revolucionit demokratik, mbi monizmin e bazuar në krimin, drogën, e Edi Ramës”, tha Berisha në hyrje të selisë.

Protesta e kësaj të hëne zgjati rreth 2 orë.

18:43 – Balla: Skenari i opozitës, i pritshëm. Nuk do ta lemë Kuvendin të merret peng nga Berisha

Pas mbylljes së seancës plenare që u shoqërua që prej nisjes me debate e tension, jashtë Kuvendit, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla tha se gjithçka që po ndodh ishte e pritshme.

“Unë mendoj që çdo qytetar shqiptar e kupton skenarin. Ditën që dosja Gërdeci po përparon drejt një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm për të garantuar që personat e përfshirë në atë tragjedi me autorë shtetërorë të vendosen para drejtësisë, në momentin që në Shqipëri dhe opinioni shqiptar u njoh me një provë të re, të pakundërshtueshme, sesi jepeshin urdhrat në 21 Janar, nuk ka qenë aspak e papritur për ne, që të kishim një të përshkallëzim të marrëdhënies të personit të akuzuar për të dy këto ngjarje, për Gërdecin dhe për 21 Janarin, Sali Berisha në marrëdhënien me Kuvendin dhe institucionet. Në fakt përpjekja e tyre për të penguar punimet e Kuvendit është një përpjekje e kotë sa kohë që natyrshëm do kishte qenë mirë që deputetët sot të kishin mundësi sikurse është e parashikuar që kjo seancë ne të sjellim zërin e qytetarëve dhe problematikat që ata kanë”.

Balla tha se të martën, socialistët do të kërkojnë sërish që të merren masa ndaj deputetëve demokratë që bllokojnë foltoren e Kuvendit.

“Megjithatë ne nuk mund ta lemë Kuvendin të jetë peng, ose të keqpërdoret nga Berisha e persona të tjerë. Ne si grup parlamentar do t’i drejtohemi përsëri nesër Sekretariatit. Ne do t’i kërkojmë përsëri sekretariatit të merren masat sepse mendojmë se njëlloj sikurse një qytetar i thjeshtë i këtij vendi penalizohet për ecje me shpejtësi apo një shkelje tjetër, mendoj që edhe deputetët duhet të respektojnë rregulloren”.

18:40 – Berisha: McGonigal nuk ishte turist seksi, ky reagim kolektiv si miza pas veshit

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar jashtë sallës së Kuvendit se reagimi i zonjave socialiste pas deklaratës së tij ku përmendi video erotike të McGonigal, e bën atë të hetojë më shumë në atë drejtim.

Berisha tha se nuk do të bënte kurrë një deklaratë të tillë nëse s’do kishte fakte.

Berisha: Kishte turp më të madh që të protestonin për deklarata që unë kam bërë në takim me gazetarë dhe të shpreheshin si të akuzuara?!

Bëhet fjalë për dokumenta por në natyrën time nuk keni parë kurrë të publikuar asnjë video apo foto të karakterit erotik sepse unë nuk merrem me to. Në këtë rast fakti që reaguan kaq fuqishëm këto zonja më bën mua të hetoj dhe 3 herë më shumë në çdo drejtim. Po të mos kisha fakte a mund të bëja deklaratën unë? Tani, ky reagim kolektiv i zonjave socialiste, si miza mas veshit, do hetoj edhe 10 herë më shumë për t’i shkuar deri në fund edhe kësaj piste.

Nuk janë të rëndësishme për mua faktet. Më pengon sepse problemi kryesor është Edi Rama, nuk janë këto. Nuk janë ngjarjet terciare në pubet e Tiranës. Populli do flasë, opozita ja ku e ka popullin. Janë të gatshëm të futen në sallë në momentin që e shohin të arsyeshme, ne jemi paqësorë. Mund të futet aty dhe të rrijë në grevë urie. Kjo që dëgjuam sonte është për Guinness, si ka mundësi të bëjë ajo zonjë një deklaratë të tillë për një deklaratë që unë kam bërë për McGonigal. Edi Rama kërkon të zhurmojë dhe i përdor si zhurmuesë. Edi Rama kërkon ta paraqesë atë si turist seksi. McGonigal nuk ishte turist seksi.

Berisha deklaroi të premten në konferencë me gazetarët se posedon fakte për orgjira që sipas tij janë kryer në pubet e natës kur McGonigal vizionte Shqipërinë. Kjo deklaratë bëri që 27 deputete të kërkonin përjashtimin e tij nga Parlamenti për shkak të gjuhës jo etike.

18:39 – Ndërpritet seanca plenare, Balla: Hallin e Berishës nuk e zgjidh dot bilbili

Kryetarja e parlamentit, Lindita Nikolla, e ndërpreu seancën e sotme plenare. Shkak u bënë debatet pas kërkesës së PS-së për të përjashtuar kryedemokratin Berisha për gjuhën e përdorur nga ai.

Ishte kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili kërkoi ndërprerjen e seancës dhe tha se do të merren masat ndëshkimore për sjelljen e deputetëve të PD.

“Keqardhja ime më e madhe është për një pjesë të ashtuquajturën shoqëri civile e cila që ditën e premte duhej të ishte solidarizuar me gratë dhe vajzat socialiste deputete. Është e papranueshme që një burrë që ka fëmijët e vet sa këto vajza dhe gra të krijojë insitutata me pretendime të paqena se gjoja paska video. Po të jetë burrë videot t’i nxjerrë se thotë që videot nuk i nxjerr. Prandaj në këto kushte në emër të grupit parlamentar i propozoj kuvendit ndërprerjen e seancës dhe do ti drejtohemi sipas rregullores për marrjen e masave të tjera ndëshkimore. Ne do ta rikthejmë kuvendin ë normalitet. Hallin e Berishës me drejtësinë nuk e zgjidh dot as bilbili as koka e bilbilit”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij, krahas Ballës, qëndronte Flamur Noka, i cili i frynte një bilbili. Këtë veprim, Noka e bëri edhe gjatë fjalës së disa deputetëve të tjerë të PS-së. Për këtë arsye, Nikolla e përjashtoi nga seanca e sotme plenare.

18:31 – Berisha-mazhorancës: S’përmenda asnjë emër, thashë se ça pësuat! Ju i dilni zot këtu McGonigal…

Pas kërkesës së mazhorancës për përjashtimin e tij nga Kuvendi, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh se nuk mund të fshehin marrëdhëniet sekrete të Ramës me McGonigal me një vendim të tillë.

Berisha u shpreh se nuk ka përdorur gjuhë fyese për asnjë deputete të Parlamentit.

“Jam Sali Berisha unë, nuk jam Edi Rama. Nuk jam unë ai që, e dinë gratë ministre se ç’heqin në zyrë, dhoma, më falni në mbledhjen e qeverisë me fjalorin prej rrugaçi që përdor. Jam i detyruar të respektoj, nuk mund të fyej publikisht një grua. S’përmenda asnjë emër, pse me këto kërkoni të mbuloni ju marrëdhënien sekrete të McGonigal?! Është e turpshme kjo, jeni të keqorientuara. Thoni pak dhe unë të them të vërtetën, Eliza pyeti se cilës i ka djeg më shumë që unë të bëj deklaratën që ju kërkoni. Po ka marrëzi si kjo mor, unë thashë se ça pësuat! Ju i dilni këtu zot McGonigal, ç’është kjo mor?! Me erotizmat e Gonigalit doni të fshihni aktivitetet e tij në Shqipëri. Latë nam!”, deklaroi Berisha në Kuvend.

18:29 – Noka pengon deputetët socialistë me bilbil, Nikolla e përjashton

Seanca e sotme plenare është shënuar me tensione të larta. Flamur Noka, gjatë fjalës së tij, u shpreh se opozitës i është mbyllur goja, diçka që sipas tij nuk ka ndodhur kurrë në historinë e parlamentit.

“Këtu ka pasur edhe plumba në këtë parlament, por kurrë fjala nuk është ndaluar. Kurrë opozitës nuk i është mbyllur goja. Çfarë kemi ne si opozitë? Ne vetëm një gjë kemi, fjalën. Këtu na kërkoni të na ndaloni edhe çfarë, një ish-ministre (Anila Denaj) që ia kanë mbyllur gojën për të folur…”, u shpreh ai.

Por teksa fliste për Denajn, kryeparlamentarja Lindita Nikolla ia ka hequr fjalën.

“Ta heq fjalën. Nuk të lejoj zoti Noka. Nuk të lejoj të vijosh me shpifje të rënda. Nuk është për procedurë”, u shpreh Nikolla.

Pas kësaj, Noka ka vijuar që t’i fryjë një bilbili. Ai ka shkuar edhe tek deputeti socialist, Toni Gogu, dhe teksa ky i fundit fliste, i frynte bilbilit.

“Ky zotëria që i bie bilbilit këtu pak më parë bëri sikur mbajti zi për viktimat e tërmetit. Ky zotëria këtu që i bie bilbilit. Bëri sikur mbajti zi për viktimat e tërmetit. Shpirtrat e tronditur nga tërmeti i shqiptarëve e kuptojnë çdo të thotë tërmet. Vetëm ky nuk e kupton sepse është burrë i frustruar nga drejtësia. Po i vjen ora e drejtësisë”,tha Gogu.

Pas kësaj, fjalën e mori edhe ministrja Spiropali. Ndërkohë po Noka vijoi po njësoj që t’i binte bilbilit. Pas këtyre skenave, Lindita Nikolla vendosi që të përjashtonte Nokën nga seanca plenare.

18:10 – Debate për gjuhën e përdorur në Kuvend, opozita bllokon foltoren

Seanca e sotme plenare është përfshirë nga debate mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës. Shkak është bërë një deklaratë e Partisë Socialiste që kërkon përjashtimin e Sali Berishës nga Kuvendi për shkak, sipas tyre, të gjuhës së përdorur nga ai.

Kjo deklaratë është pritur me kundërshtime nga deputetët e Partisë Demokratike. Disa prej tyre kanë me vete edhe bilbila. Pas kësaj, kreu i PD-së Sali Berisha dhe deputetët e tjerë të selisë blu kanë bllokuar foltoren.

Për shkak të situatës, kryeparlamentarja Lindita Nikolla kërkoi që të ketë 5 minuta pushim.

Kujtojmë që krahas seancës plenare në ambientet e jashtme të saj po zhvillohet një protestë. Protestuesit janë duke ndjekur drejtpërdrejt me anë të një monitori edhe çfarë po ndodh në parlament.

18:07 – Balla-Berishës: The lloj-lloj maskarallëqesh, që në moshën tënde janë të turpshme t’i imagjinosh

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla tha sot në Kuvend se Berisha ka bërë deklarata të turpshme ditët e fundit dhe se kjo histori me gjuhë të tillë duhet të marrë fund.

Në të drejtë vajza gra deputete dhe anëtare të Qeverisë kanë ngritur sot një shqetësim. Unë do të shpresoja shumë që minimalisht vajzat gra, deputete të opozitës të merrnin dhe të lexonin deklaratat e deputetit Berisha 3 ditë më parë. Deklarimet e deputetit parafolës kanë qenë të turpshme, të rënda dhe i thamë zotëri nxirr videon pra. Dole ditën e premte dhe the lloj-lloj maskarallëqesh, që në moshën tënde janë të turpshme t’i imagjinosh. Shpresa ime ka qenë që aleanca e grave të dalë përtej ndasive politike, jo ti mbani qiriun një të vdekuri prandaj përsëri zonja kryetare e Kuvendit, ne nuk mund të ndalemi këtu për shqyrtimin e kërkesës. Do ishte mirë që aleanca të mblidhej nesër, merreni dëgjojeni dhe çojeni te familjet tuaja. Nëse ju japin të drejtë unë kërkoj falje. Sekretariati i Kuvendit duhet t’i japë fund kësaj historie. Çdo sulm i natyrës seksiste, gjinore s’ka vend në këtë sallë të Kuvendit”, tha Balla.

27 deputetë kanë firmosur kërkesën për të përjashtuar Berishën pasi sipas tyre kryedemokrati  ka kaluar çdo kufi etik me gjuhën e përdorur.

18:03 – PS kërkon përjashtimin e tij, Berisha: Skandali i tmerrshëm ku jeni përfshirë nuk mund të sfumohet me banalitete

Duke i kthyer përgjigje nënkryetares së grupit parlamentar të PS, Anila Denaj që kërkoi përjashtimin e tij nga Kuvendi, kryedemokrati Sali Berisha tha se skandali i tmerrshëm për çështjen McGonigal, që sipas tij ka përfshirë qeverinë, nuk mund të sfumohet me banalitete.

“Me asgjë, me asnjë akt, me asnjë banalitet nuk mund të sfumoni skandalin e tmerrshëm në të cilin jeni përfshirë. Këtu në parlament endet hija e McGonigal, i cili bashkëpunoi jo vetëm me Edi Ramën, por edhe me disa nga këta ministra e ministre. I cili mori përsipër si vrasës me pagesë të sulmojë opozitën, të shkatërrojë opozitën, i cili mori përsipër shumë e shumë veprime për të cilat kryetari juaj, një pjesë e juaj e mirë jeni dhe do të jeni në gjykim, në Shqipëri dhe SHBA. Përsa i përket zonjës! Zonjë do të ju them një gjë unë ty. Ty të duket të pëlqejnë ato që thotë Rama, por unë ato nuk i them kurrë, unë jam soj tjetër, edukatë tjetër, kështu që nuk kam si ta kuptoj unë reagimin tënd, përveç një dëshire që të dëgjosh nga goja ime ato që thotë kryetari yt edhe në këtë sallë parlamenti. Por ato nuk do ti plotësoj ndonjëherë”, tha Berisha, ndërkohë që fjala e tij shfaqej edhe në ekranin e vendosur nga jashtë Kuvendit, ku zhvillohet protesta e thirrur nga opozita.

Në një deklaratë të firmosur nga 27 deputetë socialistë, që u lexua nga Denaj thuhet se gjuha e përdorur nga Berisha ka cenuar dinjitetin e ministreve, deputeteve dhe Kuvendit. Denaj tha se Berisha ose duhet të nxjerrë prova që mbështesin gjuhën e përdorur nga ai, ose të kërkojë falje.

17:55 – PS kërkon përjashtimin e Berishës nga Kuvendi

Nënkryetarja e grupit parlamentar të PS, Anila Denaj kërkoi ditën e sotme në seancën plenare përjashtimin e Sali Berishës nga Kuvendi.  

“Në emër të grave deputete të PS sot kemi depozituar në deklaratë lidhur me gjuhën e patolerueshme të përdorur nga deputeti Berisha. Kërkojmë që organet kompetente të Kuvendit të fillojnë procedurat për marrjen e masave disiplinore të përjashtimit të deputetit Sali Berisha nga seancat e Kuvendit me afatin maksimal të lejuar nga rregullorja”, u shpreh Denaj.

Në deklaratën që është firmosur nga 27 deputetë thuhet se gjuha e përdorur nga Berisha ka cenuar dinjitetin e ministreve, deputeteve dhe Kuvendit. Denaj tha se Berisha ose duhet të nxjerrë prova që mbështesin gjuhën e përdorur nga ai, ose të kërkojë falje.

“Kemi bindjen se Berisha nuk duhet lejuar që të marrë pjesë në seancat e Kuvendit nëse nuk bën një nga këto të dyja, ose të nxjerrë provat që mbështesin për daljen ekstreme të gjuhës së përdorur nga ai ose të kërkojë falje publike subjekteve të dhunës së shfrenuar”, tha Denaj.

17:36 – Protesta para Kuvendit, gazetarja: Lëndohen dy efektivë

Dy punonjës policie mësohet se kanë mbetur të lënduar gjatë përplasjes me protestuesit pasditen e kësaj të hëne jashtë godinës së parlamentit. Lajmi raportohet nga gazetarja Glidona Daci.

17:29 – Tensione jashtë Kuvendit, protestuesit përplasen me policinë dhe hedhin tymuese

Protestuesit janë përplasur me policinë në tubimin që po zhvillohet këtë të hënë para Kuvendit pasi kanë synuar që të çajnë kordonin.

Ata kanë hedhur mjete piroteknike në drejtim të punonjësve të policisë. Gazetarja e Klan News, Glidona Daci raporton se si pasojë kanë mbetur të lënduar dy efektivë policie.

Në oborrin e Kuvendit ndodhen forca të shtuara të policisë dhe forcave speciale që qëndrojnë në gatishmëri të plotë për çdo rast. Atje është vendosur edhe një makinë me ujë.

17:22 – Nuk u lejuan të hyjnë në parlament, Boçi flet për gazetarët

Disa prej deputetëve që u përjashtuan nga seanca e sotme plenare nuk janë lejuar që të futen në ambientet e Kuvendit. Luçiano Boçi u shpreh se masa e dhënë ndaj deputetëve është disiplinore. Sipas tij, deputetët mund të futen në seancë, por nuk kanë të drejtën e fjalës.  

“Masa është displinore çka do të thotë që nuk kam të drejtën të kërkoj fjalën as për procedurë as për amendime të ndryshme. Deputetët mund të ulen në vendin e tyre dhe të ndjekin seancën pa ndërhyrë”, u shpreh Boçi.

Boçi ironizoi edhe fikjen e dritave në Kuvend.  

“Duke të ikur arsyeja normal që të ikin dhe dritat”, tha ai.

Më pas deputetët që nuk u lejuan të futen në Kuvend iu  bashkuan protestës që po zhvillohet jashtë ambienteve të parlamentit./tvklan.al

17:11 – Errësirë në Kuvend, ndërpritet energjia elektrike

Seanca e sotme plenare, që ishte planifikuar të niste në orën 17:00 do të nisë me vonesë. Shkak është bërë një ndërprerje e energjisë elektrike.

Siç duket edhe nga kjo video si pasojë e errësirës dallohen vetëm ekranet e ndezura të celularëve të deputetëve.

Në një reagim për mediat, Kuvendi sqaroi se: Seanca u ndërpre sepse u dogj pajisja UPS, e cila shërben për balancimin e energjisë në sallën e seancave plenare. Pajisja UPS funksionon ekskluzivisht për sallën e seancave, për shkak të sistemin elektronik. Po punohet për zëvendësimin e pajisjes.

16:58 – “Përplasje” në dyert e parlamentit

Disa prej deputetëve të Partisë Demokratike nuk janë lejuar që të hyjnë në ambientet e Kuvendit këtë të hënë. Klan News raporton se bëhet fjalë për deputetë që janë përjashtuar.

Kjo situatë ka shkaktuar përplasje mes deputetëve që kanë kërkuar të hyjnë në seancë dhe punonjësve të sigurisë së parlamentit.

15:45 – Opozita niset drejt Kuvendit

Opozita proteston sërish ditën e sotme. Protestuesit u mblodhën para Kuvendit. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e paralajmëroi protestën që të shtunën, hyri në parlamenti në orën 16:50.

Më herët ai i bëri thirrje mbështetësve të opozitës për të vazhduar atë që ai e quan si revolucion për rrëzimin e socialistëve nga pushtetit.

Ai është shprehur se arsyeja pse  zgjodhën Parlamentin si vendin ku do të protestojnë, lidhet me faktin se sipas demokratëve, me forcën e kartonave shumica po u mohon të drejtën e fjalës deputetëve të opozitës.

Kujtojmë që njëkohësisht protestës do të zhvillohet edhe seanca plenare. Në lidhje me protestën ka marrë masa edhe policia.

REDAKSIA TVKLAN.AL