Kërkohet që vendimet e AMA-s të apelohen në gjykatë

Vetëm pak ditë përpara se të miratohet në Parlament, përfaqësuesi i Lirisë së Mediave të OSBE-së i ka rekomanduar qeverisë shqiptare të bëj ndryshime të tjera në paketën ligjore, të njohur si paketa antishpifje ku përfshihen 2 ligje, ai për median online dhe mediat audiovizive.

Harlem Désir pavarësisht se vlerëson amendimet e bërë, në mënyrë të veçantë propozimin e bërë nga OSBE, e cilëson si tepër të rëndësishme që AMA të mos ketë të njëjta kompetenca për monitorimin e mediave online si ka aktualisht për sistemin e transmetimit të mediave audiovizive.

Përfaqësuesi i OSBE kërkon që të sqarohen masat mbrojtëse të lirisë së shprehjes dhe të shmangen ndonjë rrezik të kufizimeve ose sanksioneve të padrejta për ofruesit e mediave elektronike. Sipas tij kërkohet një dispozitë që garanton që të gjitha vendimet e AMA-së mund të apelohen para gjykatësit kompetent menjëherë pas miratimit të tyre.

Po ashtu sa i takon gjobave të parashikuara në ligj, sipas tij ato janë  shumë të larta dhe të tepërta në rastet e shkeljeve. Gjobat e tilla mund të çojnë në mbylljen e mediave dhe të shihen si presion indirekt. Në përputhje me parimet e proporcionalitetit dhe domosdoshmërisë, sanksionet duhet të miratohen sipas tij vetëm pasi të merren parasysh përmasat dhe kapacitetin ekonomik të mediave në fjalë.

Shqetësim sa i takon draftit për OSBE mbeten dhe kompetencat që i janë dhënë AKEP në lidhje me miratimin e masave për të mbrojtur një gamë të gjerë interesash, përfshirë interesat e vendit, sigurinë publike, të drejtat themelore dhe çdo dispozitë të përfshirë në sistemin juridik shqiptar.

Këto nocione mbeten shumë të përcaktuara dhe nuk përfshijnë rregulla specifike se si të sigurohet mbrojtja për lirinë e shprehjes. Kjo është arsyeja pse shqyrtimi ligjor rekomandon ndryshimin e nenit përkatës të projektligjit. Sipas përfaqësuesit të OSBE zyra e tij do të jetë e vëmendshme në monitorimin e zbatimit të këtij ligji në Shqipëri  pasi për të është shumë e rëndësishme të sigurohet që agjensia rregullatore, AMA, të mund të kryejë kompetencat dhe detyrat e saj në një mënyrë plotësisht të pavarur, pa asnjë lloj ndërhyrje politike.

Tv Klan