Ambasadori i sapo zgjedhur i prezencës së OSBE në Tiranë inkurajon Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, që të përmbyllë përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, siç janë angazhuar të gjitha forcat politike. Në një intervistë për Televizionin Klan, z. Bernd Borchardt thotë se koha është shumë e shkurtër për kryerjen e këtyre ndryshimeve, pasi të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të njihen dhe përgatiten mbi bazën e tyre për zgjedhjet e ardhshme. 

“Kanë mbetur edhe pak javë deri kur Presidenti, mbështetur në kuadrin ligjor, të dekretojë datën e zgjedhjeve të ardhshme dhe të fillojë procesi përgatitor i zgjedhjeve. Institucionet përgjegjëse, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, organet vendore, partitë, etj., kanë nevojë për kohë që të përgatiten dhe të njihen me sistemin. Deri tani rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR-i – të cilat partitë e mëdha janë zotuar se do t’i zbatojnë – nuk  janë zbatuar ende. Pra, ndiejmë presionin e kohës për kryerjen e ndryshimeve, në mënyrë që të gjithë të mund t’i fillojnë përgatitjet për zgjedhjet në terren të sigurt. Kështu që, ne e nxisim fuqimisht komisionin e posaçëm të punojë për këto çështje sa më shpejt të jetë e mundur”.

Lista të mbyllura apo ndryshim në lista të hapura, siç kërkon PD dhe LSI? I njëjti sistem zgjedhor apo ndryshim i tij siç kërkon opozita? Ambasadori Borchardt thotë se kjo është një çështje e konsensusit politik, por shqetësimi i tij është koha në dispozicion.

“Kjo çështje ka të bëjë me kohën në dispozicion dhe me shkallën e ndryshimeve. OSBE/ODIHR nuk sugjeron ndonjë sistem zgjedhor specifik. Pra, ne dhe OSBE/ODIHR e respektojmë plotësisht zgjedhjen e secilit vend për të zgjedhur sistemin zgjedhor më të përshtatshëm për të, për traditat dhe situatën e tij politike. Ajo që bëjmë ne është, nga njëra anë këshillojmë se si t’i përshtatet teknikisht një sistem në një situatë të caktuar dhe nga ana tjetër, rekomandojmë që procesi të shpejtohet, pasi institucionet zgjedhore, partitë e të tjerët duhet të njihen me sistemin.

Sa i takon listave, vendimi për këtë është e drejtë ekskluzive e parlamentit shqiptar dhe duke qenë se mund të prekë çështje që lidhen me Kushtetutën, do të nevojitej një shumicë e gjerë, pra do të duhej të gjendej konsensus. Ka argumente në favor të listave të hapura, ka argumente kundër listave të hapura dhe të gjitha këto argumente duhet të shqyrtohen me kujdes përpara se të merret vendimi. Ne dhe OSBE/ODIHR nuk themi “bëni këtë” apo “bëni atë”. Ne jemi të gatshëm të shpjegojmë pasojat e mundshme dhe kurthet teknike, që lidhen me modele të ndryshme.”

ambasadori-osbe

Propozimin e opozitës për financimin e partive politike vetëm nga buxheti i shtetit, Ambasadori nuk e vlerëson si një model të aplikueshëm për shkak të kostove të larta që kanë fushatat zgjedhore. Por për të, ajo që ka vërtetë rëndësi është transparenca e të ardhurave, të çdonjërit subjekt politik.

“Në zgjedhjet e mëparshme, kur kam qenë ambasador i Gjermanisë këtu, kam parë së shifrat e publikuara dhe ajo ishte e dukshme në fushatat zgjedhore, nuk përputheshin edhe aq shumë. Prandaj është mirë që kjo temë ka dalë tashmë në planin publik dhe që po diskutohet. Nga ana tjetër, rregullimi i financimit të partive politike përbën një pjesë thelbësore të rregullimit të fushatave zgjedhore dhe vetë partive. Partive u nevojiten shumë para, jo vetëm për fushatat zgjedhore, por edhe për punën e tyre të përditshme dhe për përçimin e nismave dhe ideve të tyre elektoratit, edhe në periudhat jozgjedhore. Kjo kushton. Mund të bëhet vetëm me financim nga buxheti i shtetit, por duhen shumë para. A i ka shteti kaq para? Unë nuk e di. Mund të lejohet edhe financimi privat, gjë që lejohet në shumë vende. Ajo që është e rëndësishme për ne është transparenca e financimit, në mënyrë që të jetë shumë e qartë se kush jep para dhe sa para jep. Kështu, zgjedhësi sheh se një parti financohet nga X, Y apo Z dhe nëse atij nuk i pëlqejnë X apo Y, ky zgjedhës voton për dikë tjetër”.

Për transparencën e financimit të partive politike, zoti Borchardt propozon rritje të rolit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me qëllim që partitë politike të jenë të detyruara të japin informacione të hollësishme për burimin e parave, që përpara zgjedhjeve.

Ambasadori thotë se zgjedhjet janë përmirësuar ndër vite dhe se misioni i OSBE do të bëjë çmos që të kontribuojë në mënyrë që këto zgjedhje të jenë më të mira.

Tv Klan