Raporti më i fundit i UNMIK për Kosovën, i paraqitur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shkaktoi përplasje të qëndrimeve mes presidentëve të Kosovës, Vjosa Osmani dhe të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Vuçiç gjatë fjalës së tij akuzoi qeverinë Kurti se po kryen sulme sistematike dhe se po i diskriminon serbët në Kosovë, porse këto qëndrime u kundërshtuan nga Osmani.

“Ka pasur dhunë brutale, serbët po përballen me regjimin e Albin Kurtit, me një diskriminim të shkallës së lartë. E kjo për arsyet se s’janë shqiptarë e s’janë të përfshirë në një axhendë për Shqipërinë e Madhe”, tha Vuçiç.

“Pretendimet e Serbisë për spastrim etnik dhe persekutim të serbëve në Kosovë janë false, të pabazuara. Serbët e Kosovës janë në trysni, por jo nga qeveria e Kosovës, por qartazi nga Serbia. Përpjekjet nga Serbia për destabilizim janë aktive në Kosovë”, u shpreh Osmani.

Përplasje pati edhe për bojkotin e serbëve për zgjedhjet e se dielës.

“Bojkotimi i votimeve nga ana e serbëve ka qenë i arsyeshëm. Prishtina rriti numrin e votuesve të regjistruar kur aty po iket nga represioni”, deklaroi presidenti serb.

“Serbët e Kosovës u detyruan të mos dalin në zgjedhje vitin e kaluar. Edhe dje u dhamë mundësinë të zgjedhin kryetarëve në veri, por Lista Serbe u bëri presion”, tha presidentja Osmani.

Vuçiç gjithashtu u shpreh se prej 11 vitesh po refuzohet nga Kosova zbatimi i marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërsa ngriti shqetësim për çështjen e dinarit serb.

Shefja e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Karolin Ziade, kërkoi vijimin e dialogut nën ndërmjetësimit e Brukselit. Sipas saj, dështimi i zgjedhjeve të 21 prillit për shkarkimin e 4 kryetarëve të komunave në veri të Kosovës vetëm e shtyn zgjidhjen e asaj çështjeje të ndjeshme.

Tv Klan