papa

Papa Françesku ka mbyllur pjesën zyrtare të vizitës së tij në Turqi.

Ajo është konsideruar nga mediat perëndimore si historike për promovimin e dialogut ndërfetar, kundër fanatizmit dhe fondamentalizmit.

Ndërsa, shtypi në Ankara e cilësoi këtë vizitë si një mundësi për Presidentin Rexhep Taip Erdogan për të përçuar mesazhin se duhet ndaluar islamofobia.

Papa Françesku e ka nisur vizitën e tij 3-ditore në vendin europiano-aziatik, simbolikisht, me vendosjen e një kurore në mazoleumin e Mustafa Qemal Ataturkut, themeluesit të Turqisë moderne dhe laike. Në mesazhin që la Ati i Shenjtë theksoi rëndësinë që ka ky shtet jo vetëm në planin gjeografik, por edhe si një urë për bashkëjetesën mes popujve.

Më tej, Papa Françesku u bë dinjitari i parë i huaj që vizitoi pallatin e sapo inaguruar presidencial. Në konferencën e përbashkët për shtyp kreu i Vatikanit theksoi rëndësinë e arrtijes së paqes në rajonin e Lindjes së Mesme dhe u bëri thirrje muslimanëve që të luftojnë Shtetit Islamik.

Ndërsa, mikpritësi i tij, presidenti Erdogan tha se “shfaqja e racizmit dhe islamofobisë në perëndim dhe dhuna e terrorizmi në tokat ku jetojnë muslimanët, bëjnë të domosdoshëm bashkëpunimin tonë”.

Françesku ka zhvilluar pasdite edhe një takim privat me liderin shpirtëror të Tuirqisë, Mehmet Gormez.

Të shtunën Ati i Shenjtë do të zhvendoset në Stamboll, ku ka një tjetër axhendë të ngjeshur dhe mjaft sinjifikative, ku bie në sy nënshkrimi i një marrëveshje bashkëpunimi me Bartolomeun e Parë, liderin shpirtëror të më shumë se 300 milionë ortodoksve kudo në botë.

Masat e marra nga autoritetet për sigurinë gjatë kësaj vizite, të përditshmet turke i konsiderojnë si “shtetrrethim”. Françesku është i katërti nga udhëheqësit e Vatikanit që kanë vizituar ndër vite këtë vend. I pari ishte Papa Pali i 6-të në vitin 1967, më pas Gjon Pali i Dytë dhe pas tij Benedikti i 16.

Kjo është vizita e tretë e Papa Françeskut në Europë. Të parën, e zhvilloi në Tiranë, më 21 shtator.

Tv Klan