Në Gjermani ka nisur një eksperiment me 250 marrës të asistencës sociale të përzgjedhur rastësisht. Ata do të vazhdojnë ta marrin asistencën edhe nëse i shkelin kushtet e vëna nga shteti.
Hilmar Schneider, drejtor i Institutit të Ekonomisë së Punës (IZA), thotë se përveç kësaj, HartzPlus funksionon vetëm nëse personat që marrin kompensim, nuk do ta deklarojnë atë në agjencinë lokale të punësimit të tyre (Jobcenter), sepse kjo automatikisht do të trajtohej si e ardhur dhe do t’u ulte asistencën. “HartzPlus konsiderohet më shumë si një instrument politik për të protestuar kundër asaj që përkrahësit e saj, që vijnë nga spektri i majtë, e quajnë politikë të “kërbaçit dhe kulaçit” që përdorin agjencitë e punësimit, ” i shpjegoi ai Deutsche Welle-s.
Tema e të ardhurave bazë në Gjermani nuk është e re, por fokusi në elementin universal të pakushtëzuar është rritur që nga reformat e fundit të tregut të punës, të iniciuara nga kancelari i atëhershëm socialdemokrat, Gerhard Schroeder, në vitin 2003.Ata që janë për mekanizmat e të ardhurave bazike argumentojnë me nivelin e lartë të varfërisë në Gjermani, por, përveç disa skemave si Mein Grundeinkommen (“Të ardhurat e mia bazike”), ku përfituesit e fitojnë me short një pagë të pakushtëzuar prej 1000 euro në muaj – ka pak skema konkrete.Qeveria e Landit të Berlinit ka në plan të vendosë në kryeqytet një skemë me të ashtuquajturat “Të ardhurat bazike të solidaritetit”. Kjo është planifikuar për vitin 2019, por projekti, i cili rrjedh nga ideja e të ardhurave universale bazë, do të kërkonte njerëz që janë në marrëdhënie pune. Megjithëse nuk është një eksperiment i AUB-së, sikurse ishte në Finlandë, rezultatet e eksperimentit HartzPlus do të shikohen nga afër për të parë nëse ato përkojnë me rezultatet e para në Finlandë. Qeveria finlandeze vendosi të mos e zgjasë më eksperimentin përtej një periudhe dyvjeçare dhe tani do të kërkojë modele të tjera asistence. Grupi i parë i rezultateve, i bërë publik javët e fundit, nxori në pah se sigurimi i të ardhurave bazë të garantuara nuk kishte efekt në tregun e punës dhe nuk i kishte rritur gjasat që përfituesit të gjenin punë. Feher thotë se këto rezultate duhet të shihen “me kujdes” pasi eksperimenti nuk ishte implementuar ashtu siç e kishin parashikuar propozuesit e tij.
Kritika më e vazhdueshme me të cilën përballen mbështetësit e idesë së të ardhurave universale është çështja e kostos. Për shembull, nëse afërsisht 70 milionë të rritur në Gjermani do të merrnin të gjithë nga një shpërblim të pakushtëzuar dhe universal prej 416 euro në muaj (niveli aktual i asistencës sociale Hartz IV), kostoja vjetore për qeverinë gjermane do të shkonte në 350 miliardë euro. Në një vend të pasionuar pas kursimeve kjo nuk është e lehtë të shitet. Daniel Feher thotë se organizata të tilla si UBIE nuk përkrahin modele specifike të financimit, por duan të promovojnë temën e AUB-së si një debat i gjerë politik. Feher mendon se që politikat e AUB-së të jenë të qëndrueshme, do të duhet një rishpërndarje themelore e pasurisë përmes politikave tatimore.Për Hilmar Schneider, këto janë qiqra në hell. “Unë dyshoj se njerëzit do të vazhdojnë ta mbështesin AUB-në kur ta marrin vesh se sa duhet të paguajnë për të,” thotë ai. Ai thotë se kostoja e një pagese bazike universale është një nga problemet më të mëdha të saj. “Me qëllim të kursimit të të ardhurave për potencialisht 15-20 për qind të popullsisë, duhet të subvencionohet 100 për qind e popullsisë në mënyrë të barabartë, edhe pse 80-85 për qind nuk kanë nevojë.” Schneider vetë nuk beson se automatizimi do të sjellë atë katastrofë që parashikohet: ” AUB-ja do t’i bënte edhe më pak atraktivë vendet e punës me paga të ulëta, do të sillte rritjen e çmimeve dhe do të ulte në përgjithësi standardin e jetesës, pa e ulur nivelin e varfërisë.” Megjithatë, polarizimi gjithnjë në rritje i politikave, në të dy anët e Atlantikut, dëshmon se debati për të ardhurat bazë do të mbetet. Rezultatet e HartzPlus-it do të shikohen me vëmendje./Deutsche Welle