Vendimet e AMA-s ankimohen në Gjykatën Administrative

Kuvendi miratoi dy ligjet e paketes “anti-shpifje”, që kanë shkaktuar debate mes mazhorancës dhe disa shoqatave të gazetarëve.

Paketa mori 82 vota pro, 13 kundër dhe 5 abstenim.

Gjatë diskutimeve, draftet pësuan disa ndryshime. Deputetët miratuan amendamentet e paraqitura nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Kështu, sipas ligjit të miratuar, nuk do të ketë më mbyllje të medias online, por vetëm bllokim të artikujve kur AMA urdhëron heqjen e tyre për përmbajtje pornografike, për cënim të sigurisë kombëtare dhe kur nxisin veprime terroriste.

Përsa i përket gjobave, ato do të jenë nga 100.000 Lekë deri në 600.000 Lekë në rastet kur media online nuk ka të publikuar vendndodhjen e zyrës, adresën elektronike dhe faqen e internetit.

Do të gjobiten nga 40.000 Lekë deri në 800.000 Lekë kur nuk respektohet e drejta e përgënjeshtrimit të personit apo subjektit të cënuar.

Përsëritja e shkeljes më shumë se 3 herë gjatë një viti dënohet me një rritje deri në 50% të shumës së gjobës të përmendur më lart.

Në rast përsëritjeje më shumë se 5 herë gjatë vitit të kaluar, subjekti nuk do të përfitojë lehtësira fiskale apo të ndonjë lloji tjetër për një periudhë 3-vjeçare.

Masat që do të merren nga Këshilli i Ankesave, do të mund të ankimohen në Bordin e AMA-s. Ndërsa vendimet e Bordit, mund të ankimohen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.

Subjekti i ndëshkuar mund të bëjë ankim brenda 30 ditëve nga data e shpalljes ose e njoftimit të vendimit të Këshillit të Ankesave. Bordi i AMA-s shqyrton ankesën dhe shpall vendimin jo më vonë se 10 ditë.

 Ekzekutimi i gjobës bëhet i  detyrueshëm, pavarësish ankimimit në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Tv Klan