Ish-Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, është zyrtarisht pa imunitet parlamentar. Edhe pse nuk pritej ndonjë surprizë në seancën e së hënës për shkak se mazhoranca dhe opozita u deklaruan në mbështetje të kërkesës së akuzës për heqjen e imunitetit të Mediut, gjatë votimit të fshehtë me kuti, vetëm 101 deputetë votuan pro kësaj kërkese, ndërsa 23 të tjerë ishin kundër, 2 abstenuan dhe 2 vota ishin të pa vlefshme.

Ish-Kreu i Ministrisë së Mbrojtjes në fjalën e tij para deputetëve ritheksoji se akuzat që i shoqëronin kërkesën e prokurorisë ishin të pa bazuara në prova dhe se në asnjë rast për gjithë procesin e demontimit në Gërdec nuk ishin shmangur forcat e armatosura.

Fatmir Mediu: “Si Ministër i Mbrojtjes kam respektuar ligjin dhe i kam shërbyer detyrimeve të mia ligjore dhe kushtetuese, duke e konsideruar asgjësimin e municionit më tepër si prioritet kombëtarë. Për ata që duan të vërtetën, deklaroj me përgjegjësi për të disatën herë, nuk kam asnjë marrëdhënie të çfarë do lloj të drejtpërdrejtë apo tërthorë me Delijorgjin apo kompaninë  amerikane. Për ata që e dinë si vendos dhe punon një ministër dhe nuk duan ta thonë, deklaroj se çdo ministër për këtë proces vepron si mbas propozimit të ardhur nga strukturat ushtarake dhe civile. Vota juaj siç thashë me gjithë respektin është një akt normal për mua, sepse ky imunitet nuk më intereson. Ajo që më intereson është hetimi i çështjes dhe daljes së vërtetës”.

Përpara fjalës së Mediut raporti përfundimtarë i këshillit të mandateve dhe imuniteteve u paraqit nga anëtari i këtij këshilli i Ilir Bano, i cili prezantoji para deputetëve 2 relacionet e relatorëve Arjan Madhi e Besnik Dervishi. Për të shmangur procedurat e zgjatura për dorëheqjen e imunitetit parlamentar mazhoranca kërkojë miratimin së shpejti të ligjit për kufizimin e imunitetit./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama

Operator: Klodian Keçi

Montazh: Vilma Halilaj