Lajme Arkiva 2003

Takimi i radhës për kryetarin e Partisë Lëvizja e Legalitetit, zoti Spahiu është rrethi i Bulqizës, ku prezantoi kandidatët legalistë. Bardhyl Rama për komunën Zerçan, Haxhi Duka për komunën Ostren, Besnik Alliu për komunën Fushë Bulqizë dhe Fadil Cani për komunën Gjoricë. Zoti Spahiu në fjalën e tij para zgjedhësve tha:

Ekrem Spahiu: Ne ju bëjmë thirrje që më 12 Tetor të gjithë banorët e Bulqizës, të gjithë banorët e Bulqizës, të marrin pjesë pasivisht në zgjedhje pasi çdo pjesëmarrje e lartë tregon fitoren absolute të opozitës.

Dje kreu demokristian Nikoll Lesi prezantoi në komunën e Kukrit në rrethin e Gramshit kandidatin Luan Bega. Kryetari Lesi tha se duhet që shteti të jetë i ashpër me krimin e organizuar dhe atë të rrugës në mënyrë që tu siguroj qetësi qytetarëve të vendit të cilëve përveç varfërisë u shtohet edhe mungesa e sigurisë për jetën

Nikollë Lesi: Ajo që ndodhi mbrëmë, me makinën e Prokurorit të Përgjithshëm e cila qëllohet dhe ndiqet me armë, tregon se krimi dhe mafia e organizuar është ulur këmbëkryq në mes të Tiranës.

Qindra intelektual elbasanas kanë marrë pjesë në prezantimin e kandidatit për kryetar bashkie Ardian turku, të mbështetur nga partia Balli Kombëtar dhe ajo demokratike. Figura e Profesor Doktor Ardian Turkut, njeriut që ka marrë përsipër ndryshimet e mëdha në Elbasan është siç e ka prezantuar Shpëtim Roqi. Është mirëpritur në mënyrë të veçantë nga brezat e të gjithë studentëve që ai ka edukuar.

Shpëtim Roqi: Në qoftë se kam qenë i bindur se në Elbasan zoti Ardian Turku duhet mbështetur, pasi dëgjova, jam dyfish i bindur që nuk kemi gabuar. Ardian Turku e meriton këtë mbështetje.

Pasditen e djeshme në qytetin e Vlorës, Partia Balli Kombëtar Demokrat ka prezantuar kandidatin e përbashkët për kryetar bashkie zotin Kristaq Bisholla. Sekretari i përgjithshëm i Partisë Balli Kombëtar Demokrat theksoi se kjo parti kërkon nga simpatizantët të votojnë për listën e tyre të këshilltarëve bashkiak dhe për zotin Bisholla. Në këtë Kod Zgjedhor rruga jonë e bashkëpunimit me PD-në është rruga më pragmatiste dhe e drejtë shtoi Cako.

Alfred Cako: Dëshiroj t’ju theksoi faktin shikoni se si keni jetuar, shikoni se ku jeni dhe mos ua jepni votën pashallarëve të kuq, por jepeni për ndryshimin e jetës suaj, jepeni për atë ndryshim të cilat nisin pas viteve ‘90 por tragjikisht u ndërprenë./tvklan.al