Në selinë rozë është mbledhur sot në mesditë grupi i punës i Partisë Socialiste për hartimin e platformës propagandistike të kësaj partie për zgjedhjet e pushtetit lokal. Socialistët Rama, Çeço, Islami, Shahillari e të tjerë po shqyrtojnë platformën e partisë së tyre e cila është kthyer mrapsht nga kryesia në takimin e së hënës për plotësime të mëtejshme.

Socialisti Islami në analizat e tij politike të ditëve të fundit, ka kritikuar partinë e tij për mungesë strategjie dhe platforme elektorale. Ai sot ka paraqitur pranë grupit të punës së politikave elektorale materialet e përgatitura nga vetë ai për këtë qëllim.

Ky takim i paraprin takimit të kryesisë së socialistëve i cili do të zhvillohet sot rreth orës 19:00. Socialistët e kryesisë do të shqyrtojnë sot dhe njëherë platformën elektorale që do të paraqesë grupi i lartpërmendur. Në mbledhjen e kryesisë do të shqyrtohen gjithashtu dhe propozimet për përbërjen Komisionit të Garancive Statutore si dhe për kryefinancierin e Partisë Socialiste./tvklan.al