Programi “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e vështirë të familjes Aruçi. Para 3 vitesh, djali i tyre Neritani pëson aksident, teksa po kthehej nga mbrëmja e maturës. Në mjetin që ai drejtonte ishin edhe 4 miqtë e tij, të cilët pësuan dëmtime të lehta.

Ndërsa Neritani ishte në gjendje të rëndë dhe qëndroi 3 javë në koma. Pas daljes nga koma, ai shfaqi vështirësi në të folur.

Pavarësisht trajtimeve dhe terapive të ndryshme, sërish komunikimi për të mbetet i vështirë.

I ftuar në studio, Neritani shprehet se kur ai fillon dhe flet, mënyra si njerëzit e shikojnë e bën të ndihet keq. Ai dëshiron të shkojë në Gjermani sepse edhe aty kishte njerëz me të njëjtin problem si ai dhe mënyra si ata trajtoheshin ishte ndryshe.

Mirela Milori: Si është dita jote?

Neritan Aruçi: Dita ime është thjesht ngrihem në mëngjes, laj sytë, ha bukë dhe pastaj rri në shtëpi.

Mirela Milori: Ke shokë?

Neritan Aruçi: Nuk kam!

Mirela Milori: Po shok të fëmijërisë të marrin në telefon, të flasin, të takojnë?

Neritan Aruçi:  Nuk më takojnë sepse të gjithë shokët e mi kanë ikur jashtë shtetit, kanë filluar punë.

Mirela Milori: Çfarë ëndërron, çfarë do të bëhet në jetën tënde? Një punësim këtu apo në Gjermani?

Neritan Aruçi:  Në fakt në Gjermani është shumë herë më mirë sepse në Gjermani kishte edhe njerëz të tjerë, të cilët ishin me probleme si puna ime.

Drita Aruçi: Në Gjermani  thotë ka dhe njerëz të tjerë, që kanë probleme si puna ime dhe nuk i shikojnë me një sy tjetër.

Mirela Milori: Ti këtu ndjehesh që të shikojnë me një sy tjetër?

Neritan Aruçi: Po këtu ndihem. Për shembull kur jam në një ambient me njerëz dhe unë sapo të filloj të flas dhe njerëzit rrinë dhe më shikojnë në një mënyrë që nuk e di.

Mirela Milori: Ndihesh keq?

Neritan Aruçi: Po pra!

Mirela Milori: Miqtë e tu më të mirë janë mami dhe babi?

Neritan Aruçi:  Po!

Drita Aruçi: Neritani ishte djalë me shumë ëndrra, donte të ecte përpara. Kur ishte në Gjermani në punë vullnetare ishte, por merrte një rrogë të vogël dhe kur shkova unë për t’u kuruar dhe tërhoqa pagën e tij, asnjë pjesë nga paga nuk ishte prekur, se ushqimin e kishte aty në kompani. I thoja unë: O Neritan po pse nuk i kishe prishur fare lekët. Mami tha unë i ruaja për ju, doja t’ju çoja për pushime ty dhe babin. Në këtë moshë dhe mendonte për prindërit, moshatarët e tij nuk besoj ta mendojnë./tvklan.al