Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria do të vaksinojë edhe mësuesit e Kosovës.

Gjatë takimit të tij me fermerët e Rrogozhinës, Rama është shprehur se ka marrë një mesazh falenderimi nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili ka shprehur dëshirën që vendi ynë të vaksinojë mësuesit, pasi për mjekët kanë arritur dozat nga Covax.

Më tej kryeministri ironizoi PD-në duke thënë se këto gjëra nuk bëhen me dëngla, llafe apo duke fjetur gjumë.

“Ne jemi krenarë që po ndihmojmë mjekët e Kosovës. Më çoi një mesazh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke më falenderuar dhe duke më thënë që meqë morën disa mijëra vaksina dhe do vaksinojnë mjekët, do dëshironte që ne të ndihmonim për mësuesit. Po i thashë! Patjetë! Ne do t’i japim ato që duhet dhe që mundemi, që të vaksinojmë mësuesit e Kosovës. Sigurisht! E si bëhen këto? Me llafe, me dëngla, duke fjetur gjumë?

Dhe ndërkohë që ne jemi në mes të kësaj finalje, dhe ndërkohë që e shikojmë dritën atje, e shikojmë horizontin e sezonit turistik, që falë vaksinimit do të jetë shumë më i lehtësuar dhe kjo do të sjelli shumë më tepër turistë se sa vitin e shkuar. Kjo do të sjelli shumë më tepër punë, shumë më tepër lekë, shumë më tepër ekonomi. Ne tani të kthehemi mbrapsht e këtu të mos vijnë as vaksina, e këtu të fillojë përsëri historia me rrumpallë dhe me infektim. Dhe me njerëz që nuk se kanë idenë se çfarë do të thotë të drejtosh një vend. Që nuk e kanë idenë çfarë do të thotë të rrish pa gjumë për t’u ndenjur njerëzve pranë.

Që nuk e kanë idenë çfarë do të thotë të shkosh të bredhësh gjithë botën, të trokasësh dyert dhe të ulesh në gjunjë të tjerëve, t’ju thuash kemi nevojë. Që nuk dinë si bëhen as miqësitë e as partneritetet, por rrinë bëjnë vetëm dëngla, Europ, Europa, Europa…dhe ndërkohë gjithçka që bëjnë është kundër Europës. Europës që duam të ndërtojmë këtu, se ne nuk e duam Europën që të ikim në Europë, ta çojmë Shqipërinë në Europë. Ne duam që Europën ta sjellim këtu. Shqipëria të bëhet Europë në çdo sektor e drejtim. Dhe si bëhet? Me llafe, apo sa hap e mbyll sytë? Apo me ato recetat magjike? Do ulim sigurimet shoqërore, do rrisim pensionet. Domethënë do ulim prodhimin e qumështit dhe do rrisim prodhimin e djathit, dini ju si bëhet kjo?”, tha Rama.

Rama: Në NATO na futi Amerika, 25 Prilli vendos për fatin e drejtësisë së re

Këtë të enjte, në 12-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kryeministri Edi Rama ka theksuar nga Rrogozhina se vendin në NATO e futi Amerika dhe jo PD-ja.

Gjatë takimit të tij me fermerët, Rama u shpreh se 25 Prilli do të vendosë fatin e drejtësisë së re.

Më tej kryeministri tha se presidenti Ilir Meta, Sali Berisha dhe Monika Kryemadhi janë armiqtë e Reformës në Drejtësi.

“E pra është koha për të qëndruar shumë drejt. Është koha për të marrë vendim. Do vazhdojmë përpara për të kryer punët që kemi nisur dhe të çojmë në fund këto përpjekje, apo do shkojmë gropë siç kemi shkuar gjithmonë sa herë ata e kanë marrë. Ju ka ngel goja ‘ju futëm në NATO, ju futëm në NATO’. Në NATO na futi Amerika ne, nuk na futën këta.

Mos harroni këto zgjedhje janë zgjedhje që vendosin fatin e drejtësisë. E kemi ngritur me shumë mundim bazën. Ka filluar të çelë me shumë mundim embrioni i drejtësisë së re. Ilir Metës do t’i jepni ju besimin që rri dhe flet me vete sa herë del në televizor dhe pa i thënë kush një në tre fjalë e ka burgu, burgu, burgu, e thotë vetë. Se ça ka ky që i rri mendja te burgu le ta gjejë vetë. Ilir Meta, Sali Berisha, Monika Kryemadhi janë armiqtë reformës në drejtësi. Janë armiq të drejtësisë së re dhe të pastë. Që po ndërrohet hap pas hapi se nuk mund të bëhet sa hap e mbyll sytë. Drejtësia në Shqipëri bëhet vetëm nëse populli e mbron dhe populli i drejtësisë është 25 Prilli. Vazhdimi dhe përfundimi me sukses i luftës me armikun e padukshëm është 25 Prill.

Përrallat me mbret duke shpërndarë Euro me llafe duhet t’ju kujtojnë vetëm një gjë, Suden, Vehbiu, Xhaferrin. Nuk ka sot, s’ka pasur kurrë, por nuk ka sot qofte ke daja. Sot secili duhet të ndihmohet, duhet të mbështetet që të mbrojë jetën, të ketë strehën mbi kokë apo të vazhdojë punën e tij. Është një ndarje e prerë mes dy botëve, bota e vaksinimit dhe bota e infektimit, bota e rindërtimit dhe e rishkatërrimit, bota e rrenave dhe bota e kalova lumin mbaje vetë kalin”.

Rama akuza opozitës: Berisha bën thirrje kundër vaksinimit, Basha nuk ka kurajo të flasë

Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të enjte se zgjedhjet e 25 Prillit vendosin për fatin e vaksinimit. Sipas kreut të qeverisë nëse qytetarët duan që të ndërpritet procesi i vaksinimit duhet votuar Partia Demokratike.

Ai deklaroi nga Rrogozhina, ku ishte për një takim me fermerët, se ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë thirrje kundër procesit të vaksinimit. Kjo sipas Ramës ka treguar që kreu i PD-së, Lulzim Basha, është kukull e tij pasi nuk ka folur fare për këtë çështje.

Sipas kreu të ekzekutivit kjo gjë nuk do të kishte ndodhur nga ana e socialistëve. Ai deklaroi se vakksinat janë siguruar me shumë mund.

“Nuk merret vota me receta magjike këtu do bëhet parajsë. Opozita ka po atë program që ka pasur gjithë jetën me një ndryshim që tashi Saliu është bërë shkes bashkë me Ilrin dhe Monikën dhe ka nxjerrë një Gjino atje me demek si fytyrë e re dhe thonë hajde ti gjejmë një nuse Gjinos.  Kjo është gjëja që na dallon ne nga ata. Kjo është çështje karakteri. Vendosmëria është karakter. Ashtu sikundër dhe durimi është karakter. Ashtu si kundër dhe durimi e besimi janë karaktere. Në këtë përballje është shumë e qartë shikoni se çfarë bëjnë. Si mund t’i besohet për një moment fati i këtij vendi, e ardhmja e këtij vendi, e çdo qyteti, e këtij fshati, e ardhmja e çdo familje një njeriu i cili është vënë aty si kukull që qesh, që këndon këngët që ia mësojnë përmendësh, një kukull që gënjen pa asnjë gajle dhe nuk ka kurajo të thotë asnjë fjalë kur nga ana tjetër ai që e kurdis, Saliu, del dhe bën thirrje për mosbërjen e vaksinës. Bën thirrje duke u thënë njerëzve se vaksina të vdes, duke u thënë njerëzve që vaksinat janë të skaduara, që vaksinat janë të ndaluara atje ku janë prodhuara, që vaksinat i vdesin 60-vjecaret e sipër. Dhe ky tjetri nuk flet fare. Sikur të dilte një nga dhe të fliste, jo këto se po të fliste këto ikte, por sikur të thoshte diçka sado të dyshimtë për këtë betejë, për këtë armë që është e vetmja për të mundur armikun e padukshëm dhe unë të rrija pa folur, të bëjë sikur s’dëgjoja? Ka një gjë tjetër që ta keni të qartë, nëse doni që të ndërpritet vaksinimi shkoni votoni ata. Saliu thotë vaksina të vdes, ai tjetri, doktori tjetër, Peço Vasili nuk ka lënë ditë pa thënë të kundërtën e asaj që duhet t’u thotë njerëzve, përkundrazi gjithë kohës vetëm zi, zi, zi, duke futur ankth, duke futur dyshime në shpirtin e njerëzve të zakonshëm. Po ju them që nëse sot po vaksinojmë masivisht dhe është privilegji më i madh i gjithë jetës sime politike dhe shoh fytyrat e çliruara të gjysheve dhe gjyshërve dhe kjo nuk është bërë se erdhën vaksinat nga qielli. Është bërë me shumë mundim duke shkuar derë më derë dhe duke lypur, duke çarë edhe atë rrethim nga BE që na la jashtë në momentin e parë”, tha Rama. 

Rama: Së shpejti Shqipëria mes vendeve që vaksinojnë më shumë

Gjatë takimit të tij me fermerët në Rrogozhinë, kryeministri Rama u shpreh se shumë shpejt Shqipëria do të jetë ndër vendet që vaksinojnë më shumë.

Rama nuk i kurseu ironitë për Partinë Demokratike, ndërsa theksoi se ajo që po bën Basha është e turpshme dhe e papërgjegjshme.

“Na kanë dalë prapë përpara këta xhagajdurët e së shkuarës, një shportë me karavidhe mbledhur atje raqi raqi kikiko si ajo loja në të shkuarën duke krijuar një tabor krushqish dhe duke sorollatur Lulin në Shqipëri për ta bërë dhëndër. Në këtë sorollatje ajo që po bën Basha së bashku me ata që organizon këto dasma pa nuse në rrugët e Shqipërisë është e turpshme, është e papërgjegjshme, është një një rrumpallë sepse janë vatra infektimi. Ne kemi ngritur vatra vaksinimi.

Shumë shpejt do dalim në pjesën lart të tabelës së vaksinimit në Europë, do të jemi mes vendeve që vaksinojmë në shumë. Ata nuk duan t’ia dinë fare as për njerëzit më besnik që dalin atje siç kanë bërë për 30 vjet dhe me mendimin që të mbarojmë zgjedhjet dhe pastaj kush ta hajë ta hajë nga këta. 2-3 javë do virusi të të kapë fytin dhe uroj që asnjë prej tyre të mos përfundojë në sptial, por ashtu siç po veprohet është një mesazh i qartë për shqiptarët që kanë dy mend në kokë, mesazhi është që ata janë antishteti, ata janë rrumpalla, ata janë paftësia dhe janë dëmi që i rri si kërcënim mbi kokë këtij vendi. Nuk kanë bërë një punë të hajrit”, tha Rama./tvklan.al