Debati për prostitucionit shkaktoi replika mbrëmjen e kësaj të mërkure në studion e “Opinion” mes aktivistes për të drejtat e njeriut Delina Fico dhe pastorit Paulin Vilajeti. Shkak u bë deklarata e pastorit, i cili tha problem në Shqipëri nuk është vetëm prostitucioni në vetvete, por dhuna që sipas tij ushtrohet ndaj të rinjve për të shkuar drejt kësaj rruge. Për këtë ai solli si shembull rastet kur pedagogët kërkojnë seks nga studentet në këmbim të provimeve. Kjo deklaratë hasi kundërshtinë e Ficos, e cila i kërkoji Vilajetit që të mos përgjithësonte, pasi sipas saj, rastet që publikohen në media nuk tregojnë domosdoshmërisht që ky është një fenomen i përgjithshëm, sa kohë nuk ka një studim me shifra konkrete.

Paulin Vilajeti: Ajo që doja të thoja është se nuk është thjeshtë prostitucioni në Shqipëri, por është edhe dhuna që ushtrohet ndaj të rinjve, vajza dhe djem, për të shkuar drejt prostitucionit. Sepse thjeshtë ne kemi parë nëpër televizione, që për provime nëpër universitetet shqiptare, ti duhet të paguash me seks për të marrë provimin, pra do të thotë që këtu është në një masë skandaloze prostitucioni në këtë vend.

Delina Fico: Aman mos bëni nga këto përgjithësimet, nuk ka bërë asnjeri studim. Është një fyerje e jashtëzakonshme për pedagogët e universiteteve shqiptare dhe për studentët. Nëse dini raste konkrete, thuaj di raste konkrete. Por këto përgjithësimet që studentët shqiptarë shkojnë shesin seksin për të marrë provimet… nëse ke bërë një studim, a ke të dhëna? Unë nuk i kam dëgjuar ndonjëherë. Të flasim pak me respekt për njerëzit, sepse i humbim edhe respektin dhe vëmendjen atyre që vuajnë vërtetë, se kur e bëjnë të gjithë, atëherë qenkemi të gjithë njëlloj.

Paulin Vilajeti: Nuk e di sa e ndiqni televizionin, por unë po flas me atë që kanë dhënë fakte në televizionin shqiptar.

Delina Fico: Një rast nuk është… tingëllon fyese për të gjithë gratë, vajzat.

Paulin Vilajeti: Nuk thashë të gjitha.

Delina Fico: Edhe duhet me kualifikuar fenomenet, se edhe kjo ideja se në të gjithë Shqipërinë të gjithë shesin trupin për ecur përpara në jetë, kjo nuk është absolutisht e vërtetë. Është një plagë e rëndë shoqërore, nuk ia dimë përmasat reale, as në Shqipëri dhe asnjë vend tjetër, sepse është shumë e vështirë të nxjerrësh një përgjithësim, hajde të flasim për rastet që njohim. Më fal po…/tvklan.al