Ministri Lleshaj: Trillime të opozitës

Partia Demokratike akuzon qeverinë se ka nisur një operacion të mirëorganizuar për të penguar qytetarët të votojnë në zgjedhjet e ardhshme duke u ndryshuar vendbanimet.

Për selinë blu ky veprim është në shkelje të ligjit e Kushtetutës, ndaj ata paralajmërojnë padi penale për zyrtarët e përfshirë në këtë skemë, duke nisur nga ministri i Brendshëm.

“Partia Demokratike, do të paraqesë kallëzim penal për të gjithë zyrtarët e përfshirë në këtë skemë manipulimi masiv, me zhvendosjen e gjendjes civile, duke filluar që nga ministri Lleshaj, Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, drejtues të pushtetit vendor e me radhë”.

Në kundërpërgjigje, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj hodhi poshte akuzat e selisë blu, duke i cilësuar ato trillime, pasi sipas tij nuk po ndodh asnjë ndryshim me qendrat e votimit.

“Ekstrakti i parë i listave të votuesve do të publikohet më datën 5 Tetor dhe çdokush do të ketë mundësinë që të shohë se qendrat e votimit nuk ndryshohen. Paralajmërimet tuaja se do të bëni kallëzime janë qesharake, edhe pse në të vërtetë i bëni me qëllim presioni publik dhe intimidimi. Mos u lodhni kot me paralajmërime, thjesht shkoni në Prokurori”.

Sipas Lleshajt, përditësimi apo saktësimi i adresave të qyetarëve nuk ka asnjë lidhje me qendrat e votimit të tyre, të cilat thotë ai, nuk ndryshojnë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Tv Klan