“Qeveria abuzon me fatkeqësinë natyrore, jemi në qiell të hapur”

Qeveria thotë se fillimi i muajit Tetor gjen në rindërtim çdo banesë të dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit, por Partia Demokratike akuzon qeverinë për propagandë.

Përmes dëshmisë së njërit prej banorëve të fshatit Rrushkull në Durrës, selia blu thotë se qytetarëve u është mohuar e drejta e bonusit të qirasë, ndonëse shtëpitë e tyre dolën të pabanueshme.

“Më muajin Nëntor më doli shtëpia e pabanueshme me DS4. Erdhën këta të tjerët e panë, asnjë gjë hiç fare. Jetoj me qira. Kam hyrë në borxh për të paguar qiranë e shtëpisë. Unë nuk e di si është kjo punë, nuk e di… Po abuzojnë më fatkeqësinë natyrore këta”.

Demokratët shkojnë më tej përmes dëshmisë së një tjetër banori të zonës i cili akuzon për korrupsion grupet e vlerësimit, se i kanë kërkuar para për t’i ndryshuar vlerësimin e dëmit që të rritej përfitimi.

“Ata thanë na jep 100 mijë Lekë se po e vlerësojmë DS3, DS4 si të duash, na jep paratë…. I thashë unë nuk dua me më ndihmuar gjë, absolutisht, vetëm aq sa është dëmtuar. Shifeni mirë, ju jeni specialistë edhe vlerësoni si të doni edhe unë jam dakort me një fjalë me këtë dëm që është bërë kjo shihet me sy”.

Selia blu akuzon autoritetet lokale se janë me qindra rastet që nuk kanë përfituar bonus qiraje si dhe dëmshpërblim për banesat e dëmtuara në zonën e Durrësit, që rezulton një ndër më të prekurat nga tërmeti tragjik i 26 Nëntorit.

Tv Klan