Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit ka arritur një kompromis me Partinë për Prosperitet dhe Demokratik që të bashkojnë votat duke siguruar kështu një fitore bindëse në zgjedhjet e reja parlamentare. PDSH ka marrë 106 mijë vota. Ndërsa PPD ka siguruar 13 mijë. Së bashku bëhen 120 mijë vota kundrejt 106 mijë votave të BDI-së, ka deklaruar kështu kreu i PPD-së Abdyladi Veseli. Koalicioni  PDSH-PPD do të ketë 14 deputet në parlament. Ndërsa BDI i Ali Ahmetit do të ketë 13 deputet.

Lideri i PDSH-së Menduh Thaçi, deklaroi se partia e tij do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme dhe se ka patuar kontakte jo formale me liderin e VMRO-DPMNE-së Nikola Gruevski, i cili në këto zgjedhje sigurojë afro 64 vende në parlament. Duke pasur tashmë shumicën koalicioni qeverisës me PDSH-ën dhe PPD-ën i siguron Gruevskit 78 deputet në legjislaturën e re. Edhe në zonat ku do të rivotohet Thaçi ka shprehur besimin se PDSH do të fitojë bindshëm.

Por kryeministri Gruevski ka garantuar se nuk do të formojë qeverinë e re deri sa të sigurohet se zgjedhjet ishin korrekte dhe demokratike. Në bazë të kushtetutës parlamenti i ri do të mblidhet 20 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve afërsisht më 22 qershor. Pas mbledhjes së deputetëve, presidenti i republikës ka një afat prej 10 ditësh për t’i dhënë mandatin liderit të VMRO-DPMNE-së Nikola Gruevskit për formimin e kabinetit të ri qeveritar.

Votimet e së dielës në Maqedoni u shoqëruan me akuza për falsifikime me incidente dhune e madje dhe të vdekur në mesin e votuesve shqiptarë. Krismat e kallashnikovit u dëgjuan gjatë gjithë së dielës në Maqedoni duke përbërë kulmin e festimeve.

Vlerësimi i OSBE-së për këto zgjedhje ishte tepër negativ, sipas organizatës në këtë proces nuk u përmbushën plotësisht standardet ndërkombëtare dhe u vërejtën jo vetëm aktet e dhunshme por edhe shkelje të hapura të ligjit./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle