Shorti do të hidhet më 14 Dhjetor

16 ekipet që do të vazhdojnë garën në Champions League u përcaktuan. Jashtë turneut mbetën Inter, Manchester United apo Ajax. Shorti do të hidhet këtë të hënë dhe mund të ketë përballje interesante, duke parë ndarjen në vazo. Në këtë fazë të aktivitetit nuk mund të përballen skuadra nga e njëjta federatë apo që kanë qenë pjesë e të njëjtit grup.

Në vazon e dytë ndodhen ekipe si Atletico Madrid apo Barcelona, që rrezikojnë të sfidojnë kundërshtarë të fortë ku mjafton të përmendim Chelsea, Dortmund, Liverpool, Manchester City apo Paris Saint Germain. Ose mund të kemi përballje mes Barcelona dhe Bayern apo Atletico me Juventus. Gjithsesi në këtë fazë nuk mund të nënvlerësohet asnjë kundërshtar, pasi janë vetëm 2 ndeshje për të caktuar cili ekip shkon më tej.

Nga lojtarët e Kombëtares do të vijojnë përfaqësimin Berat Gjimshiti me Atalanta dhe Thomas Strakosha me Lazio. Në listën e lacialëve janë edhe të rinjtë Marco Alia apo Etienne Tare, pa harruar sulmuesin e Kosovës, Vedat Muriqi.

Tv Klan