Në ditën e katërt të grevës së urisë, ish-punëtorët e fabrikës së demontimit të predhave në Gërdec, janë vizituar nga disa përfaqësues të opozitës. 8 grevistët janë mbështetur nga përfaqësuesit e grupit socialist dhe Lëvizja Politike G99. Ata u premtuan se do të ngrejnë zërin për të realizuar kërkesat e tyre të cilat i konsideruan të drejta.

Valentina Leskaj: “Do të vazhdojmë të insistojmë, të kërkojmë qoftë projektin që kemi paraqitur i cili duhet të kishte ardhur në parlament. Përsa i përket kompensimit të dëmeve materiale por edhe dëmeve të tjera fizike, do të thotë pagesën për paaftësi të përkohshme, pagesën për humbje nga vendi i punës, pagesën për invaliditet”.

Gramoz Ruçi: “Ideja e kësaj nisme është që me një ligj nga parlamenti shqiptarë të zgjidhen të gjithë hallet, problemet dhe shqetësimet, të cilat duhet të përballohen 100 për 100 nga shteti”.

Erjon Veliaj: “Minimumi që  mund të bëjë kjo qeveri, duke ju siguruar këtyre familjeve kompensimin edhe çatinë mbi krye dhe padyshim kurimin për të gjithë njerëzit të cilët janë ndoshta të pa mundur që të fillojnë aktivitetin e tyre të punës”.

Ndërkaq jashtë ambienteve të grevës së urisë, përfaqësuesit e opozitës u takuan me ish-punëtorët e tjerë të fabrikës së demontimit të predhave./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami

Operator: Petrit Xhaferri