Një grua dhe dy fëmijët e saj të vegjël kanë mbetur të plagosur rëndë për shkak të një zjarri të rënë në shtëpinë e tyre. Bëhet fjalë për një familje shqiptare, e cila jeton në Firenzuola, në provincën e Firenzes. Sipas mediave italiane, flakët u përhapën me shpejtësi dhe gruaja sëbashku me dy fëmijët, një djalë dhe një vajzë të moshës 8 dhe 11 vjeç, morën plagë të rënda.

Gjendja shëndetësore e tyre mësohet se është e rëndë, sidomos ajo e dy fëmijëve, të cilët kanë pësuar djegie në thuajse 50 përqind të trupit. Djali mësohet se i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa motra e tij ndodhet në reanimacion.

Mbetet ende e paqartë se si nisi zjarri në shtëpinë e familjes shqiptare. Nga të dhënat paraprake dyshohet se kanë qenë fëmijët të cilët e kanë nisur zjarri duke lozur me shkrepëse pranë divanit, që mori flakë dhe zjarri u përhap më pas nëpër shtëpi. Megjithatë, autoritetet në vendin fqinj vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë.

/tvklan.al