Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kanë përfunduar punimet e fazës së parë në segmentin e unazës pranë kryqëzimit në rrugën e Elbasanit. Prej 5 ditësh ky aks qëndronte i bllokuar, për shkak të asfaltimit të tij dhe punimeve restauruese në rrugë, duke sjellë vështirësi në kalimin e automjeteve, pasi kjo zonë njihet për trafik të rënduar.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës Dritan Agolli, punimet në këtë segment kanë përfshirë 450 metra linear rrugë, ndërkohë që do të ecet më tej me ndriçimin publik.

Dritan Agolli:- “Duke përmbledhur të gjithë komponentët e saj, që nga punimet e ujësjellësit, punimet e kanalizimeve të ujërave të zeza, e të bardha, trotuareve, ndriçim, sistemim, asfaltim është kostoja e një rruge cilësore dhe kostoja e një rruge cilësore, që bën Bashkia e Tiranës, janë shumë të ulëta, në krahasim me cilësinë. Ky projekt është në kuadrin e një projekti të madh kompleks, për rehabilitimin e gjithë lumit të Lanës dhe të dy bulevardeve në të dy krahët e tij, që fillon që nga Brryli dhe përfundon tek shkolla Teknologjike, tek rruga e “Kavajës”. Deri tek Brryli pritet të jetë përfundimisht gati pas një muaji. Të gjitha punimet janë brenda afateve të tyre normale”.

Krejt ky aks i unazës në bulevardin “Bajram Curri”, ku momentalisht kryhen punime është rreth 1 kilometër, ku përveç zgjerimit të rrugëve dhe trotuareve, janë pastruar dhe restauruar edhe skarpatet e Lanës. Kostoja e punimeve është rreth 79 milion lekë, fond ky i dhënë nga të ardhurat e bashkisë./tvklan.al