PD: Lini të kalojnë qytetarët e bllokuar në kufirin me Greqinë dhe Malin e Zi

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar këtë të enjte se ka përfunduar plani i riatdhesimit të shqiptarëve që kishin mbetur jashtë kufijve të Republikës. Në një njoftim në rrjetet sociale thuhet se plani është mbyllur me fluturimin e bërë nga Roma.

“Gjithashtu, ju bëjmë me dije se janë riatdhesuar të gjitha rastet emergjente, të cilat janë vlerësuar me rigorozitet nga Përfaqësitë e RSH-së në botë”, thotë Ministria e Jashtme.

Duke nisur nga sot dikasteri për punët e jashtme i bën thirrje qytetarëve të bllokuar jashtë vendit që t’i drejtohen ministrisë vetëm nëpërmjet njësisë së emergjencës. Në postimin në rrjetet sociale ministria ka publikuar të gjithë numrat në dispozicion dhe thotë se ata që do të komunikojnë me njësinë do të marrin përgjigje.

Por këtë situatë edhe PD-ja thotë se është duke e ndjekur. Në një deklaratë për mediat, sekretari i Marrëdhënieve me Jashtë në PD, Arben Kashahu, tha se në kufirin tokësor midis Shqipërisë me Greqinë dhe Shqipërisë me Malin e Zi është krijuar një situatë shqetësuese. Kjo pasi sipas PD-së edhe pse qytetarët nuk kanë asnjë pengesë nga shtetet fqinjë, nuk po lejohen të futen në territorin shqiptar.

“Mbyllja e kufijve ajrorë, detarë apo tokësorë, si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit, nuk mund të shërbejë si justifikim për braktisjen nga shteti të qytetarëve shqiptarë, që situata i gjeti të papërgatitur në një shtet të huaj. Ata nuk mund të lihen në rrugë, pa asnjë ndihmë dhe në kushte skandaloze. Kjo po ndodh tani me shqiptarët në kufirin grek dhe atë malazez. Po ndodh edhe me shqiptarët e braktisur kudo në Europë, në Itali, në Gjermani, në Francë, në Spanjë, në Angli”, tha Kashahu, sipas të cilit kjo gjë është e paligjshme.

Partia Demokratike i kërkon qeverisë që të mundësojë menjëherë që qytetarët shqiptarë që janë në kufirin tokësor me Greqinë apo Malin e Zi, të lejohen të kalojnë kufirin dhe të shkojnë në shtëpitë e tyre.

“Secili prej tyre duhet të mbahet sipas ligjit nën mbikëqyrje shëndetësore dhe të vetëkarantinohet në shtëpinë e tij, duke mos u lejuar të dalë jashtë banesës për të paktën 14 ditë nga momenti i hyrjes në Shqipëri. Në këtë mënyrë arrihet të sigurohet që ato të mos bëhen burim infektimi për të tjerët”, tha sekretari i PD-së për marrëdhëniet me jashtë./tvklan.al