Plagos aksidentalisht kunatin, 4 të arrestuar për ngjarjen në Levan-Vlorë

Përplasja e dy automjeteve çoi në një konflikt që për pak sa nuk përfundoi me pasoja tragjike mbrëmjen e shkuar Levan-Vlorë.

Burime zyrtare të policisë thonë se ngjarja u zbulua pasi një 25-vjeçar shkoi i plagosur me armë zjarri në spital për ndihmë mjekësore. Kështu, hetimet zbuluan se pranë mbikalimit të Levanit ishin përplasur me njëra-tjetrën dy makina, një Volkswagen Golf me drejtues E. B., e pasagjerë E. Y. dhe Xh. T dhe një Alfa Romeo, me drejtues M. T. e pasagjerë S. Q. dhe E. N.

Këta të fundit, në tentativë për t’u larguar me mjetin e tyre nga vendi i ngjarjes në drejtim të Vlorës janë ndjekur nga 3 personat e tjerë që ndodheshin në Volkswagen-in dhe tek mbikalimi i Novoselës, pranë një karburanti mes palëve nisi konflikti. Duke qenë edhe nën efektin e pijeve alkoolike, dyshohet se shoferi i Alfa Romeos ka qëlluar në ajër me armë zjarri dhe aksidentalisht ka plagosur kunatin e tij 25-vjeçar me iniciale E. N.

Policia thotë se ky i fundit ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Për ngjarjen policia arrestoi 4 persona, tre prej të cilëve pjesë e konfliktit, (M. T., 41 vjeç, S. Q., 20 vjeç dhe  E. N., 25 vjeç) si dhe rojen e karburantit, për moskallëzim krimi./tvklan.al