Përse nuk është ide e mirë të parkoni në “Myslym Shyri”



Përse nuk është ide e mirë të parkoni në “Myslym Shyri”

10:36 23/10/2020

Rrugorët e kryeqytetit, monitorim të dedikuar përgjatë 12 orëve, ndëshkojnë 120 automjete të pushuara në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor, në rrugën “Myslym Shyri”, e cila shërben si një arterie kryesore për lidhjen e unazës së mesme me unazën e vogël dhe qendrën e kryeqytetit.

Në një njoftim për mediat, Policia e Tiranës thotë se duke qenë se rruga “Myslym Shyri” njihet si një nga rrugët më të rëndësishme për njësitë tregtare në kryeqytet, mbetet shqetësim i përditshëm parkimi i mjeteve në korsinë e lëvizjes, duke krijuar pengesa serioze në qarkullimin e mjeteve dhe duke u bërë rrezik për aksidente rrugore, për shkak të manovrave që përdoruesit e rrugës kryejnë nga njëra korsi në tjetrën.

“Duke konsideruar vështirësitë e lëvizjes, për shkak edhe të kantiereve të ndërtimit në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, shqetësimet dhe problematikat që adresohen herë pas here nga qytetarët, në lidhje me parkimet e gabuara, kryesisht ato në rresht të dytë, Policia Rrugore e Tiranës ka nisur zbatimin e një plani veprimi, mbi monitorimin dhe kontrollin e akseve rrugore të evidentuara si me problematiket në raport me mënyrën e qëndrimit dhe pushimit të mjeteve në rrugë, me qëllim disiplinimin dhe ndërgjegjësimin e drejtuesve të mjeteve mbi rrezikun dhe problematikën që ata shkaktojnë, me sjelljen e tyre në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”.

Rrugorët e kryeqytetit, thuhet në njoftim, do të vijojnë patrullimet policore në funksion të planit të veprimit, me qëllim që përdoruesit e rrugës të kuptojnë dhe respektojnë detyrimet ligjore, kur përdorin rrugën si zonë për përdorim publik, e destinuar për qarkullimin e këmbësorëve, mjeteve dhe kafshëve, sipas sinjalizimit rrugor të vendosur nga enti pronar i rrugës.

Policia e Shtetit fton qytetarët dhe përdoruesit e rrugës të ndihmojnë në rritjen e parametrave të sigurisë, duke kontribuar të gjithë për ndërtimin e një ambienti më të sigurt./tvklan.al




Të ngjashme