Ndryshimet vetëm në kryesinë e Partisë Socialiste përbëjnë një hap të mangët, sipas anëtarit të këtij forumi Petro Koçi. Ai propozon reformim më të thellë në të gjitha strukturat e partisë, madje dhe në qeveri.

Petro Koçi: “Brenda këtij viti do të kemi kongresin vjetor të partisë. Unë besoj se forcat reformatore brenda partisë duhet të synojnë pikërisht që ky kongres të arrijë të korrigjojë dhe natyrisht të ndërmarrë veprime dhe hapa politikë, reformatorë, në mënyrë që të kemi një imazh të përmirësuar të përfaqësimit qeverisës, por sidomos edhe të përfaqësimit të drejtimit të partisë. Pra thjesht kryesia, pa përfshirë sekretariatin apo do të thoja edhe strukturat e partisë në përgjithësi mendoj se do të bënin vetëm një hap shumë të mangët.”

Petro Koçi vlerëson me skpticizëm formimin e partisë së re të Partisë Socialiste, por për ndarjen e parë të Partisë Socialiste pas 13 vjetësh anëtari i kryesisë ngarkon me përgjegjësi dhe kryetarin Fatos Nano.

Petro Koçi: “Po të shikosh, grupi që drejton zoti Meta, është kryesisht me ish-ministra dhe ish- zëvendësminstria, të cilët nuk bëjnë dot pa qenë në qeveri. Nuk mund të jetë zoti Nano pa përgjegjësi në rastin e largimit të një pjese të deputetëve socialistë për të formuar një parti të re, sepse këta janë deputetë që shumicën e tyre i zgjedhur zoti Nano dhe zoti Meta me dorën e vet.” /tvklan.al