Policia e Lushnjes referon dosjen në Prokurorinë e Fierit

Policia e Lushnjes ka përfunduar verifikimet paraprake të shpërthimit në një biznes që i mori jetën babë e bir dhe u plagosën 7 të tjerë. Blutë e këtij qyteti, referuan dosjen në prokurorinë e Fierit.

Në institucionin e akuzës janë dërguar zyrtarisht tre vepra penale, që janë ndërtim i paligjshëm pasi objekti është devijuar nga leja, shkatërrim i pronës nga pakujdesia dhe shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë. Për zbardhjen e shkaqeve që çuan në shpërthimin e fuqishëm, janë marrë në pyetje disa prej të plagosurve të cilët morën mjekim në spitalin e Lushnjës. Ndërsa deputeti Bujar Çela, Saimir Korreshi dhe Sokol Lumi nuk janë pyetur ende për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore të rënduar.

Deputeti Çela, pritet të merret në pyetje nga oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit për shkak të funksionit si deputet. Çela pritet të japë shpjegime për lejen e ndërtimit të dhënë nga Bashkia e Lushnjës në shtator të vitit të shkuar, kriteret e zbatimit të saj dhe kushtet e sigurimit teknik, nëse janë zbatuar sipas ligjit. Deri më tani hetuesit i qëndrojnë pistës se shpërthimi ka ndodhur nga plasja e njërës prej bombolave të mbushur me oksigjen si pasojë e nxehtësisë së shkaktuar prej saldimit dhe jo nga kontakti me kabujt e tensionit të lartë.

Në spital vijon të qëndrojë Sokol Lumi, i cili nuk ka dalë nga gjendja e komës. Ai ishte klient i rastësishëm në pikën e produkteve ushqimore me shumicë, kur u godit në kokë nga një hekur. Ndërsa i plagosuri tjetër Saimir Korreshi ishte në biznesin e tij kur u plagos, që ndodhet pranë kapanonit ku ndodhi shpërthimi.

Këtë të hënë këshilli bashkiak i qytetit të Lushnjes, miratoi shumën prej 500 mijë lekësh të rinj për familjen e Roland dhe Elidon Hoxhës, që humbën jetën nga shpërthimi. Në mbledhjen e këshillit bashkiak, opozita hodhi akuza për hetimet duke i quajtur selektive, ndërsa kryetarja e Bashkisë Eriselda Sefa refuzoi të japë komente. Ndërkohë një grup nga emergjencat civile të Bashkisë bënë verifikime të banesave private të dëmtuara si pasojë e shpërthimit të datës 1 mars.

Klan News