Bedrije Makolli nga Prishtina po priste në stacion në Fushë Kosovë trenin që ishte nisur nga Mitrovica për të shkuar në Bllacë, në kufi me Maqedoninë Veriore.

Kësaj radhe, jo si e dëbuar nga policia serbe, por për të kujtuar ditën që u dëbua 20 vjet më parë, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Me emocione të përziera ajo tregon se si familja e saj dhe shumë të tjerë që ishin strehuar në shtëpinë e tyre u detyruan të braktisin atë.

Fat të ngjashëm me të Bedries kishte edhe Sherife Luta.

Ajo bashkë me vajzën tash 20-vjeçare, kishin dalë në stacionin hekurudhor në Kaçanik për t’iu bashkuar turmës. Fotografia e saj e publikuar në Reuters me foshnjën 6-muajshe ishte bërë simbol i eksodit në Kosovë.

Ajo nga treni i shpjegon vajzës së saj se si kishte ecur në këmbë nga fshati Ivajë e Kaçanikut deri në Bllacë.

Ndërsa nuk munguan as mysafirë nga Shqipëria.

Në këtë fshat kufitar në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut u vu gurëthemeli i qendrës përkujtimore të gjenocidit serb në Kosovë “Bllaca 99”, ku u vendosën edhe tre vagonë me të cilët ishin bartur refugjatët.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe përfaqësues të partive politike shqiptare nga Maqedonia.

Ishin vendosur edhe tenda ku profesoresha Bedrije bashkë me nënë Sherifen u shpjegonin nxënësve vështirësitë e mbijetesës në atë kohë.

Por tash vendin e ftohtësisë dhe frikës, e kanë zënë pranvera dhe paqja.

Në vitin 1999, gjatë luftës rreth një milion shqiptarë janë dëbuar nga Kosova, 440 mijë prej tyre kanë kaluar nëpër Bllacë.

Tv Klan