Një 25-vjeçar mbeti i plagosur me armë zjarri mesditën e kësaj të premteje në Mamurras. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:00, në hyrje të qytetit, si pasojë e një konflikti të çastit. I plagosuri J. Ndreca u transportua në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Sa i takon autorit të dyshuar, ai është një 21-vjeçar, i cili u vu në pranga në vendin e ngjarjes.

Në njoftimin e saj për mediat, Policia e Kurbinit tha se shkak për ngjarjen është bërë një konflikt i çastit për motive të dobëta, pa dhënë detaje të tjera.

“Rreth orës 12:00, sapo janë njoftuar për një plagosje me armë zjarri, në hyrje të Mamurrasit, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Kurbin, kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje, për të zbardhur rrethanat e rastit dhe për të kapur përgjegjësin/t.

Si rezultat u bë kapja e menjëhershme në flagrancë dhe vënia në pranga e shtetasit E. P., 21 vjeç, banues në Mamurras, i cili dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri pistoletë, shtetasin J. N., 25 vjeç, banues në Mamurras. Arma e zjarrit u gjet dhe u sekuestrua nga shërbimet e Policisë. I plagosuri po transportohet në spital dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën”, tha policia në një njoftim për mediat.

Gazetari Martin Marku bëri me dije se ngjarja ndodhi për para një institucioni arsimor, në një kohë shumë të frekuentuar në Mamurras.

Kujtojmë se vetëm dy ditë më parë në Rrilë të Lezhës ndodhi një atentat para një shkolle. Agron Puka mbeti i plagosur. Policia ka shpallur në kërkim tre persona dhe ka arrestuar edhe vetë të plagosurin pasi edhe ai kishte qëlluar me armë zjarri./tvklan.al