Mbrëmjen e djeshme, dajë e nip nga Mamurrasi, të moshës 53 dhe 29 vjeç kanë mbetur të plagosur me armë zjarri, ndërsa autori i ngjarjes u largua menjëherë nga vendngjarja.

Kontrollet e shumta të policisë, krehja e zonës, kanë bërë që autori të vetëdorëzohet pranë uniformave blu duke mos pasur mundësi të arratiset.

Sipas informacioneve policore, autor i ngjarjes është një 26 vjeçar me inicialet A.SH., ndërsa nuk dihen ende shkaqet e këtij konflikti.

Të plagosurit, shtetasit me iniciale A. M., dhe nipi i tij shtetasi K. L, ndodhen në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkaq rreth dy kilometra larg vendit të ngjarjes, policia ka gjetur edhe armën e zjarrit kallashnikov, me të cilën autori plagosi dy personat.

Mbi 26 -vjeçarin rëndojnë dy akuza, “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Materialet tashmë i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /tvklan.al