Hartohet projektligji me ndryshimet e reja, në disa raste do të ndihmojnë Policinë e Shtetit

Ministria e Brendshme ka hartuar një projektligj që ka për qëllim të rregullojë misionin, organizimin, funksionimin dhe kompetencat e policisë bashkiake si dhe marrëdhëniet e punës me punonjësit e saj.

Pas kërkesave të vazhdueshme të Policisë së Shtetit, efektivët e bashkiakes do të të angazhohen edhe në ruajtjen e rendit, sigurisë brenda juridiksionit të saj. Në projektligjin me 42 nene, policia bashkiake krahas detyrave të saj funksionale, do të ketë në fokus dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor, të bashkërendohet me Policinë e Shtetit për ndotjen akustike, apo mbrojtjen e mjedisit nga ndotjet.

Për nevoja të ruajtjes së rendit dhe sigurisë, blutë e bashkiakes do vihen në dispozicion të Policisë së Shtetit bashkë me mjetet përkatëse, për bllokimin  e rrugëve, ose të mjediseve publike, deri në përfundim të veprimeve ligjore.

Efektivët e bashkiakes do ndërhyjnë kur konstatojnë persona me çrregullime të shëndetit mendor, të dehur apo nën efektin e drogës. Ata do informojnë Policinë e Shtetit dhe në rast urgjence do i dërgojnë pranë institucioneve shëndetësore.

Në projektligj përcaktohen dhe kriteret për punësimin e efektivëve, ku fillimisht ata do t’i nënshtrohen një periudhe tre mujore prove. Gjatë kësaj kohe do përfundojnë një trajtim të detyrueshëm pranë Akademisë së Sigurisë.

Në rast të zënies së hapësirave publike në mënyrë të paligjshme, efektivët do vijojnë të sekuestrojnë dhe konfiskojnë sendet. Pas kalimit të afatit të ankimimit apo nëse gjykata vendos për lënien në fuqi të vendimit, atëherë sendet e konfiskuara do shiten në ankand ose do shkatërrohen në varësi të natyrës së tyre.

Klan News