Ky është momenti kur forcat speciale të policisë së Kosovës shoqërojnë me pranga në duar Marko Gjuriç.

Ata hynë në ndërtesën ku shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe po zhvillonte një takim politik me banorët e Mitrovicës mbi Asociacionin e komunave me shumice serbe, pa marrë lejen e autoriteteve të Kosovës.

Pavarësisht përplasjes me qytetarët serbë të veriut të Mitrovicës, policia e arrestoi Gjuriçin dhe e dërgoi në komisariatin e Prishtinës, për ta shoqëruar më pas jashtë territorit të Kosovës.

Presidenti Hashim Thaçi tha se ky veprim është në përputhje me ligjet ndërkombëtare, pasi Kosova është një shtet sovran, ndërsa kryeparlamentari Veseli i kujtoi Beogradit se Kosova është shtet sovran.

“Serbia duhet ta kuptojë se ky vend ka zot, në lindje, perëndim, veri është shtet sovran. Ne nuk shkojmë në Serbi që të provokojmë, presim që ata ta respektojnë sovranitetin”.

Pas një mbledhjeje tri orëshe me Këshillin e Sigurisë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç e quajti arrestimin e Gjuriç një provokim brutal nga një bandë terroriste

. “Këta terroristë e kanë arrestuar Marko Gjuriçin, sepse nuk u pëlqen ajo çka ai mendon për shtetin e tyre terrorist”,

tha Vuçiç.

Rreth ngjarjes reagoi edhe kreu i Listës Serbe, Goran Rakiç, i cili paralajmëroi se serbët do të nisin procedurat për largimin nga qeveria e Haradinajt, duke kërcënuar shumicën parlamentare në Kosovë.

Edhe Brukseli reagoi për incidentin e kësaj të hëne. Shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini, njoftoi se kishte biseduar me dy presidentët Thaçi e Vuçiç dhe bëri thirrje për ulje të tensioneve.

Tv Klan