Ambasada kineze në SHBA reagon pas urdhrit të Biden ndaj inteligjences amerikane për të intensifikuar hetimet

Politizimi i origjinës së COVID-19 do të pengonte hetimet e mëtejshme dhe minonte përpjekjet globale për të frenuar pandeminë.

Ka qenë kjo deklarata e ambasadës kineze në Uashington, pasi Presidenti Joe Biden urdhëroi inteligjencën amerikane të intensifikojë përpjekjet për të studiuar origjinën e koronavirusit, duke shtuar se do të vazhdojë të bëjë presione që Kina të marrë pjesë në një hetim të plotë.

Ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë përgatitet të fillojë një fazë të dytë të studimeve për origjinën e COVID-19, Kina ka qenë nën presion për t’u dhënë hetuesve më shumë akses mes akuzave që koronavirusi rrodhi nga një laborator i specializuar në qytetin e Wuhan.

Kina ka mohuar në mënyrë të përsëritur se laboratori ishte përgjegjës, duke thënë se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera po përpiqeshin të tërhiqnin vëmendjen nga dështimet e tyre për të përmbajtur virusin.

Presidenti amerikan është shprehur se mori një raport në fillim të këtij muaji me analizën e origjinës së Covid-19. Kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se si pjesë e këtij raporti, i kishte kërkuar inteligjencës që të bënte një hetim më të detajuar përfshirë këtu edhe pyetje nga ana e stafit të laboratorit.

Ambasada kineze ka bërë të ditur se mbështet një studim gjithëpërfshirës të të gjitha rasteve të hershme të COVID-19 të gjetura në të gjithë botën dhe një hetim të plotë në disa baza sekrete dhe laboratorë biologjikë.

Një studim i përbashkët Kinë-OBSH i botuar në Mars tha se ishte shumë e pamundur që Covid-19 të dilte nga laboratori, duke shtuar se ka shumë të ngjarë të përhapet nga lakuriqët e natës tek njerëzit përmes një specie ndërmjetësuese ende të paidentifikuar. Kina ka vazhduar gjithashtu të tregojë mundësinë që COVID-19 të ketë origjinën në një vend tjetër dhe se ka hyrë përmes ushqimit të ngrirë të infektuar ose përmes rrjeteve të tregtisë së botës së egër të Azisë Juglindore.

Klan News