Opera “Mrika”, e para opera shqiptare, e vënë në skenë nga trupa amatore e Pallatit të Kulturës të qytetit të Shkodrës, ishte në fokusin e emisionit “Histori me zhurmues” mbrëmjen e sotme, si një nga ngjarjet kulmore të kulturës sonë në vitin 1958.

Libreti i Llazar Siliqit dhe kompozimi i Prenk Jakovës ishin garancia e suksesit të kësaj vepre. Violinisti Henrik Darragjati, një nga muzikantët e orkestrës sinfonike rrëfeu përpjekjet, vështrirësitë dhe suksesin e premierës së operas “Mrika”, por edhe të 18 shfaqjeve që e pasuan.

Një tjetër i ftuar për të kujtuar këtë premierë të operas shqiptare ishte edhe solisti Abdulla Kalaci, interpretuesi në rolin e Dodës, me origjine nga Shkodra dhe i emëruar në Ansamblin e Ushtrisë në Tiranë.

Kalaci tregoi për suksesin që gëzoi kjo vepër përpara publikut shkodran dhe udhëheqjes së lartë të Partisë së Shtetit në Tiranë.

Një tjetër histori njerëzore erdhi nëpërmjet rrëfimit të Nikollë Gjergjit nga Malësia e Madhe, mjeshtër mekanik në Kombinatin e Tekstileve Stalin që nga inaugurimi i tij.

Për shkak të ekzekutimit të të atit në vitin 1945, Nikollë Gjergji u detyrua të shkonte si vullnetar në të gjitha veprat e rëndësishme të periudhës së socializmit deri në vitin 1990.

Protagonist i programit ishte edhe Lavdosh Dule, inxhinier i diplomuar në Bashkimin Sovjetik, pjesëmarrës në grupin e punës për ndërtimin e aeroportit të Kuçovës dhe një nga projektuesit kryesorë të aeroportit të Rinasit, si dhe të disa objekteve të rëndësisë së veçantë në Shqipëri.

Nëpërmjet rrëfimit të tij Dule tregoi debatet në Këshillin e Mbrojtjes mes udhëheqjes së lartë të partisë mbi ndërtimin e aeroportit ushtarak të Gjadrit./tvklan.al