Në dhjetor 2010, mbi 330 mijë udhëtarë mbetën në aeroporte

Në vitin 2010 trafiku ajror në Spanjë u paralizua tërësisht nga greva e përgjithshme e kontrollorëve të trafikut ajror, ngjashëm me bllokimin e fluturimeve sot në Shqipëri.

U desh ndërhyrja e ushtrisë për të marrë nën kontroll hapësirën ajrore të vendit pasi kontrollorët e trafikut ajror braktisën në grup detyrën duke bllokuar nëpër terminale mbi 330 mijë udhëtarë dhe detyruar qeverinë të mbyllë aeroportin kryesor të vendit, atë të Madrdit.

Gjashtë orë pasi vendi u zhyt në kaos, Ministria e Mbrojtjes mori kontrollin e hapësirës ajrore. Ushtria mori atë kohë të gjitha vendimet në lidhje me organizimin, planifikimin dhe mbikëqyrjen.

Qeveria e atëhershme spanjolle e kryeministrit Jose Luis Rodriguez Zapateroi kërcënoi kontrollorët e trafikut ajror se nëse nuk ktheheshin në vendet e punës dhe rikthenin normalitetin e fluturimeve, do të shpallej gjendja e jashtëzakonshme dhe kontrollorët do të detyroheshin me forcë. Në rast të mosparaqitjes në punës kontrollorët e trafikut ajror do të përballeshin me ndëshkime të rënda penale e rrezikonin burgun.

Kontrollorët spanjollë të trafikut ajror e braktisën punën gjatë krizës së vitit 2010 pas mosmarrëveshjeve me qeverinë Zapatero për kushtet e punës dhe pas miratimit të një pakete me masa shtrënguese, që përfshinte edhe privatizimin e aeroporteve dhe kalimin e menaxhimit në duart e sektorit privat.

Gjithashtu Spanja kërkoi atë kohë ndihmën e Eurocontrol-it dhe agjencisë amerikane për të menaxhuar fluturimet ndërkombëtare.

Klan News