Zëdhënësi: Mungesë serioziteti dhe në panik

Parlamenti miratoi mbrëmjen e kaluar nismën që shkurton afatet e procedimit penal për gjyqtarët dhe prokurorët që japin vendime abuzive.

Nisma parashikon një ndryshim në ceremoninë e betimit për të zgjedhurit e rinj në organet e drejtësisë.

Ata mund ta bëjnë betimin me, shkrim nëse Presidenti apo institucion i tyre nuk i fton për të kryer ceremoninë.

Në një postim në Facebook, zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi, ka shprehur çudinë e madhe që ligji miratohet në errësirë të plotë siç thotë ai, vetëm pak orë para fillimit të takimeve të Komisionit të Venecias në Tiranë.

Kjo sipas Blushit tregon një  mungesë serioziteti të plotë, panik për ngut dhe fakt të kryer.

“Për ne tashmë çudi përbën vetëm fakti kur ndonjëherë Kuvendi kalon ndonjë ligj që respekton Kushtetutën, pasi dhunimi sistematik i saj është kthyer në rregull”.

Ndërkohë ai ka lajmëruar se pasditen e sotme Presidenti Ilir Meta do të ketë një dalje për mediat, për të diskutuar për këtë ndryshim.

“Pasdite ju premtoj se Presidenti do të kuvendojë me ju direkt nga Presidenca, dhe me të gjithë shqiptarët, për qëllimin e vërtetë të ligjit për KRYEKÇK-në”. /tvklan.al