“Parashikime optimiste, nuk ka rritje pagash e pensionesh”

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar ligjin e buxhetit të vitit të ardhshëm, duke i hapur rrugë kështu bërjes efektiv të tij që më datën 1 Janar 2020.

Megjithatë kreu i shtetit ka nënvizuar për herë të parë se dekretimi është bërë me rezerva, duke dhënë si argument për hyrjen në fuqi të tij pa vonesë, marrjen e masave të menjëhershme për të prekurit nga tërmeti.

“Për të mos penguar zbatimin e masave të menjëhershme që lidhen me riparimin e pasojave të shkaktuara nga tërmeti i datës 26 Nëntor 2019, ka dekretuar pa vonesë ligjin “Për buxhetin e shtetit për vitin 2020””.

Rezervat e Presidentit përqendrohen në disa fusha, ku e para sipas tij janë parashikimet jo realiste në aspektin makroekonomik, duke nisur që nga vlerësimet e rritjes ekonomike e deri te optimizmi i shtuar për mbledhjen e të ardhurave në buxhet. Por shqetësim kryesor për të mbeten investimet e ulëta në infrastrukturë, dhe ndalimi i rritjes së pagave e pensioneve.

“Investimet publike në përqindje të PPB në vitin 2020 janë më të ulëta se në vitin 2018 dhe në vitin 2019, si dhe nuk parashikohet rritje të pagave dhe rritjes reale të pensioneve dhe të pagesave të tjera”.

Një tjetër risk i paparashikuar për zyrën e Presidentit është edhe çështja e detyrimeve të prapambetura, barra e faturave buxhetore për koncesionet, rritja e borxhit publik, detyrimet ndaj biznesit për rimbursimin e tatimit mbi vlerën e shtuar apo vendimet gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare të cilat në të ardhmen rrezikojnë t’u faturohen investimeve publike.

Dekretimi i ligjit të buxhetit shmang krizën që mund të sillte bllokimin e financave publike në fillimin e vitit të ardhshëm, e cila domosdoshmërisht do të kërkonte mbledhjen e kuvendit në seancë plenare për të bërë të mundur bërjes efektive të parave në arkë.

Tv Klan