Basha: 15% më shumë vizitorë të huaj në vit

Lulzim Basha tha se turizmi do të jetë një nga prioritetet kur partia e tij të vijë në pushtet. Në prezantimin e programit të demokratëve për këtë sektor, Basha premtoi rritje të vëmendjes ndaj turizmit duke bërë që të gjenerohen më shumë vende punë.

“Unë angazhohem të rrisim kontributin e drejtpërdrejtë nga turizmi në ekonominë tonë nga 8 në 10%. Angazhohem të dyfishojmë kontributin në punësim nga rritja e turizmit në ekonomi 40.000 në 80.000 vende pune”.

Një tjetër angazhim i Bashës është rritja e kapaciteteve akomoduese dhe zgjatja e qëndrimit të turistëve të huaj në vend.

“Angazhohem të dyfishojmë kapacitetet akomoduese. Duke hapur kështu dyert për më shumë turistë. E për pasojë do të kemi më shumë vende të reja pune. Angazhohem të punoj për të rritur kohëzgjatjen e sezonit turistik, përmes diversifikimit të ofertave turistike: Bregdetare, Malore, Rurale, Kulturore. Kështu ne do të dyfishojmë kohën e qëndrimit të turistëve të huaj në vendin tonë”.

Kreu i demokratëve premtoi që nëse merr drejtimin e qeverisë të rrisë numrin e turistëve të huaj me 15% në vit.

Tv Klan