Associated Press

Google ka pushuar nga puna 28 punonjës pasi protestuan për teknologjinë që kompania e internetit po mundëson për qeverinë e Izraelit në një kohë kur lufta në Gaza vijon, duke përshkallëzuar edhe më tej tensionet rreth këtij projektit që ka ngjallur polemika.

Pushimi nga puna u konfirmua nga Google mbrëmjen e së mërkurës dhe erdhi një ditë pasi 9 punonjës u arrestuan për shkak të protestës që zhvilluan brenda ambienteve të kompanisë në New York dhe Sunnyvale. Për shkak se punonjësit refuzonin të vijonin punën dhe të largoheshin nga ambientet e zyrave, drejtuesit thërritën policinë dhe ata u shoqëruan jashtë me pranga në duar.

Kundërshtimi lidhet me Projektin Nimbus, një kontratë me vlerë 1.2 miliard dollarë e nënshkruar në 2021, që e detyron Google dhe Amazon t’i ofrojnë qeverisë izraelite shërbime kompjuterike online dhe shërbime të Inteligjencës Artificiale (AI).

Protestat po organizohen kryesisht nga një grup i quajtur “Jo teknologji për Aparteidin”. Google thotë se Nimbus nuk po ofrohet në armatime apo në grumbullimin e inteligjencës.

Në një deklaratë, Google tha se 28 punonjësit u pushuan nga puna për “sjellje totalisht të papranueshme” që pengoi disa prej punonjësve që të bënin punën e tyre dhe krijuan një atmosferë kërcënuese. Kompania me qendër në Mountain View të Kalifornisë, shtoi se po heton çfarë ndodhi gjatë protestave, duke nënkuptuar se mund të ketë edhe pushime të tjera nga puna.

Në një postim në blog, “Jo teknologji për Aparteidin” akuzoi Google se po gënjen për atë çfarë ndodhi brenda zyrave, gjatë asaj që po përshkruhet si një protestë e qetë që mori mbështetje të madhe nga punonjësit që nuk ishin pjesë e protestës.

“Ky akt flagrant hakmarrës është një tregues i qartë se Google vlerëson kontratën e saj 1.2 miliardëshe me genocidin e qeverisë dhe ushtrinë izraelite më shumë sesa punonjësit e saj”, tha grupi.

Pa përmendur raste specifike, CEO i Google, Sundar Pichai la të nënkuptohej në një postim se punonjësit do të jenë nën mbikëqyrje teksa kompania intensifikon përpjekjet e saj për të përmirësuar teknologjinë AI, në një moment domethënës në industri e potencialisht në njerëzim.

“Ky është biznes, jo një vend për të vepruar në mënyrë të tillë që të ndërpritet puna e kolegëve apo t’i bësh ata të ndihen të pasigurt, të përpiqesh për të përdorur kompaninë si platformë personale, apo për të kundërshtuar për çështje përçarëse e debate politike. Ky është një moment shumë i rëndësishëm për ne si kompani dhe nuk mund të kemi shpërqendrime”, shkruajti Pichai në një postim në blog të enjten.

Kontrata që ka zgjuar zemëratën e disa prej punonjësve të Google është pjesë e divizionit të shërbimeve kompjuterike online, që mbikëqyret nga një prej ish-drejtuesve të Oracle, Thomas Kurian.

Nën drejtim e tij, shërbimet kompjuterike online është shndërruar në një prej divizioneve me rritjen me të shpejtë të Google, duke grumbulluar 33 miliard dollarë të ardhura vitin e shkuar, një rritje me 26 % nga viti 2022. Një gamë e gjerë kompanish në sektorin privat e blejnë këtë shërbim të Google, përveç qeverive nëpër botë.

Punonjësit e Google kanë protestuar herë pas herë ashpër për marrëveshjet për të cilat kompania po punon dhe kanë ngritur po ashtu shqetësime që lidhen me etikën, për mënyrën sesi po zhvillon inteligjencën artificiale.

Një prej rasteve në të shkuarën kur punonjësit u ngritën në protestë, në vitin 2018-t, e detyroi Google që të ndërpriste një kontratë me Departamentin amerikan të Mbrojtjes, të quajtur Projekti Maven, që përfshinte ndihmë për forcat e armatosura për të analizuar videot ushtarake.

Megjithatë Google ka vijuar të lulëzojë, pavarësisht kundërshtive të brendshme për mënyrën sesi po i bën një pjesë të parave. Të ardhurat e kësaj kompanie vijnë kryesisht nëpërmjet reklamave dixhitale që shiten nëpërmjet një perandorie në internet, që varet në motorin e saj dominues të kërkimit, si një prej shtyllave kryesore.

Kompania mëmë e Google, Alphabet Inc., deklaroi 74 miliard dollarë të ardhura vitin e shkuar dhe aktualisht numëron 182,000 punonjës në mbarë botën, rreth 83,000 më shumë se në 2018-n, kur u tërhoq nga Projekti Maven./tvklan.al