Britanikët i frikësohen përplasjeve të përgjakshme të grupeve kriminale në vendin e tyre. Megjithatë është prestigjiozja në Britani, The Sun, që thotë se përplasja e këtyre grupeve atje, ka bërë që një person të qëndrojë në mbrojtje të vazhdueshme. E këtu e ka fjalën për Kreshnik Ajazin, kryeprokurorin e Elbasanit.

“Kreshnik Ajazi ka dy truproja që qëndrojnë jashtë zyrës së tij për t’i ruajtur sigurinë, pas frikës për hakmarrje nga bandat që ai ka dëmtuar gjatë punës që ka kryer”, shkruan media e huaj.

“Në Shqipëri ne kemi një traditë, hakmarrjen”, i tha Ajazi The Sun-it në një intervistë.

Operacionet e krimit të organizuar shqiptar janë krahasuar me mafian, pasi kanë struktura të mëdha familjare dhe një kod të qartë. Nga Mbretëria e Bashkuar nis një gjurmë e fortë dhune që shënon edhe historinë e konfliktit me vrasje “kokë për kokë” për të dominuar tregun e drogës atje.

Dhe gjithçka sipas mediave nis nga vjedhja e 50 kilogramëve kokainë në Britani që ka sjellë shumë vdekje në Shqipëri. Këtu ndalen tek “masakra e Bradasheshit” në Elbasan që i mori jetën Endrit Alibejt, xhaxhait të tij Arben Dylgjeri dhe një shtetasi turk, të cilët u qëlluan me kallashnikov teksa lëviznin me një Range Rover. Ndërkohë ndalet edhe tek vrasja e Arben Lleshit në burgun e Peqinit, me viktimën që e konsiderojnë si një shpërndarës droge të dënuar më herët në Southampton për vrasjen e një shqiptari tjetër.

Sipas The Sun, që këto vrasje të kryhen janë lëshuar milionat.

“Ajazi e ka bërë punë të jetës që të shkatërrojë këto banda dhe t’i japë fund kulturës së dhunës”, shkruajnë mediat.

Por kjo e ka kthyer atë në një shënjestër.

“Këto mosmarrëveshje mes bandave janë krijuar në Angli, por hakmarrja ndodh në qytetin tonë [Elbasan]. Kur u bëra kryeprokuror qëllimi im ishte t’i sfidoja ato banda, gjë që ne e kemi bërë. Kjo do të thotë se unë tani shoqërohem në çdo minutë të jetës sime nga një eskortë speciale nga Policia e Shtetit, e cila ju tregon juve se në çfarë lloj rreziku jam”, tregon ai.

Muajin e kaluar u arrit një marrëveshje mes Agjencisë Kombëtare kundër Krimit dhe Policisë së Shtetit kundër bandave kriminale që kontrollojnë tregun e marijuanës në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas raporteve, janë 1700 anëtarë bandash në liri në Mbretërinë e Bashkuar edhe pse Shqipëria ka një popullsi të vogël, sipas mediave vendase atje. Madje sipas tyre Britania ka më shumë shqiptarë në burgje se çdo shtetësi tjetër.

“Do t’i dërgojmë një mesazh se çfarë është fituar me aktivitete kriminale në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Europë do të konfiskohet”, tha një zëdhënës i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. /tvklan.al