Meta akuzon kreun e KED për shpërdorim detyre

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar padinë e Presidentit Ilir Meta që akuzonte kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani për shpërdorim detyre dhe përvetësim i titullit ose detyrës shtetërore.

Burime zyrtare nga organi i akuzës bëjnë me dije se padia është regjistruar vetëm për veprat penale dhe jo në emër të Dvoranit. Tashmë pritet që hetuesit të verifikojnë nëse ka elemente të veprës penale dhe më pas të vendosin nëse do të zhvillojnë hetime për këto akuza.

Presidenti Meta ka kërkuar të administrohen një sërë provash materiale, deri tek audioregjistrimi i mbledhjeve të zhvilluara, pasi sipas Presidentit nga 30 mbledhje të zhvilluara nga KED, vetëm një prej procesverbaleve është zbardhur.

Presidenti Meta vendosi të padisë Ardian Dvoranin, pasi i konsideron veprimet e tij në rastin e emërimeve të Gjykatës Kushtetuese në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës.

Kallëzimi u dorëzua fillimisht në tre prokurori, por Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Krimeve të Rënda e deleguan tek ajo e Tiranës, pasi veprat penale për të cilat është kallëzuar Dvorani janë kompetencë e Prokurorisë së kryeqytetit.

Tv Klan