Reforma Zgjedhore ishte në fokusin e diskutimeve të mbledhjes së grupit të punës në Komisionin e Ligjeve. Në këtë mbledhje opozita dhe mazhoranca kanë caktuar katër ekspertët të cilët do të hartojnë një plan pune për Zgjedhoren, Silva Caka, Viktor Gumi, Ivi Kaso dhe Eridjan Salianji. Në përfundim të mbledhjes, deputeti i PD, Oerd Bylykbashi tha se do të kërkohet edhe ndihma e OSBE/ODIHR për të përmbushur të gjitha rekomandimet.

Oerd Bylykbashi, deputet i PD: Grupit të ekspertëve iu la detyra që deri ditën e enjte të përgatisin një program pune për grupin dhe që sigurisht do të jetë edhe baza e punës së tyre. Prioritet absolut i këtij grupi pune është reforma zgjedhore. Reforma zgjedhore e cila do të trajtojë të gjitha problematikat që kanë zgjedhjet, sigurisht të reflektuara edhe në rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Një nga qëndrimet e PD që mund të propozohet në grupin e punës është dhe vendosja e votimit të detyrueshëm për qytetarët.

Oerd Bylykbashi, deputet i PD: Një nga qëndrimet tona është që ne duhet të shkojmë në praktikën që ka Belgjika, Greqia, Australia, që ka futur votimin e detyrueshëm.

Bylykbashi thotë se opozita mbështet listat e hapura, ndërsa thekson se duhet vullnet politik për të bërë të mundur edhe votimin e qytetarëve me banim jashtë Shqipërisë.

Oerd Bylykbashi, deputet i PD: Listat e hapura janë një detyrim kushtetues dhe zgjidhja do të bëhet në përputhje me praktikën më të mirë ndërkombëtare. Listat e mbyllura janë tashmë një histori e së shkuarës.

Deputeti demokrat e shikon si të nevojshëm edhe ashpërsimin e mëtejshëm të ligjit për krimet zgjedhore.

Klan News