Deri në Kongresin Zgjedhor të Qershorit, socialistët duhet t’i shtojnë radhët e tyre të anëtarësisë me 50 mijë anëtarë të reja. Ky është objektivi i ri që u vendosi kryesocialisti strukturave drejtuese në Asamblenë e fundit Kombëtare. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force, Blendi Klosi, që po zhvillon një tur takimesh në çdo qark për zgjedhjet e 10 dhe 11 Majit për delegatët e Kongresit, pa thënë shifra, thotë se numri i atyre që kanë marrë kartat e anëtarësimit në PS është i konsiderueshëm.

Pas takimit me socialistët e Shkodrës, Klosi u pyet dhe për shkuarjen ditën e martë të Erjon Veliajt në SPAK, ku iu përgjigj për 7 orë pyetjeve të prokurorëve, për çështjen e inceneratorëve. Por Sekretari i Përgjithshëm socialist përsëriti qëndrimin e kryeministrit, se kjo forcë nuk do të komentojë asnjë vendim apo hetim të drejtësisë së re.

Njëkohësisht me zgjedhjet e delegatëve të Kongresit, sipas parimit një anëtarë një votë, socialistët po zgjedhin dhe kryetarët e rinj të çdo degë të kësaj force.

Tv Klan