Ndryshimet e propozuara nga shumica në Rregulloren e Kuvendit për rastet e heqjes së imunitetit të deputetëve, siç ishte ai për ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri riktheu debatin mes maxhorancës dhe opozitës.

Demokratët e cilësuan në shkelje të rregullores diskutimin e këtij amendimi në Komisionin e Ligjeve, duke thënë se përmes kësaj nisme shumica po teton të mbrojë nga ndjekja penale deputetët e saj.

Sipas ndryshimit të bërë nga socialistët, kërkesa për të autorizuar caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, heqjes së lirisë në çfarëdolloj forme, kontrollit personal ose të banesës, i paraqitet kryetarit të Kuvendit nga prokurori dhe kërkesa duhet të përmbajë një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me provat, që e mbështesin atë.

Por kreu i Grupit Parlamentar të Socialistëve, Taulant Balla, teksa paralajmëroi tërheqjen nga kjo kërkesë garantoi opozitën se asnjë ndryshim në rregulloren e Kuvendit nuk do të kalojë pa konsensusin e opozitës.

Edhe kjo tërheqje e maxhorancës nuk e bindi opozitën. Pas debateve, shumica vendosi ta shtyjë diskutimin në parim për këtë çështje në një tjetër seancë, sërish në Komisionin Ligjeve. Deri më tani, Prokuroria ka kërkuar arrestimin e deputetëve bazuar në indicie dhe dyshime të arsyeshme.

Tv Klan