Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se do të padisë në gjykatë gazetarin gjerman Peter Tiede që ka publikuar në gazetën “Bild” audio-përgjimet e dosjes “184” .

Në një postim në rrjetet sociale, Rama bën me dije se padinë ndaj Peter Tiede do ta depozitojë në gjykatat gjermane.

“Kam vendosur ta çoj në gjykatat gjermane këtë gazetar dhe në atë vend të bekuar, ku drejtësia nuk bën lojra me sekretet hetimore e ku dinjiteti i njerëzve dhe i shteteve respektohet si vlerë e pacënueshme, le të shohim kush është me të drejtën në këtë histori drejtësie të munguar”, thotë Kryeministri Edi Rama.

Nuk ka vonuar dhe reagimi i gazetarit Peter Tiede, pasi kryeministri Rama njoftoi se do ta padisë në gjykatë.

Tiede ka replikuar në Twitterin e kreut të qeverisë dhe sipas tij përgjimet janë reale. Madje ai i shtron pyetjen kryeministrit, se tek cila Gjykatë do e padisë?

“Z. Kryeministër, ju doni të më padisni? Për shkak se fyeva madhërinë tuaj, apo çfarë? Përgjimet janë reale. Apo dyshoni për materialin e prokurorëve tuaj? Në Shqipëri, ju nuk mund të më padisni: cila gjykatë funksionon? I kënaqur që e konfirmuat”.

/tvklan.al