Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Maqedonisë publikoi rezultatet, jo përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Partia e qendrës së djathtë dhe koalicioni  “Për një Maqedoni më të mirë” ka fituar 64 deputetë, Lidhja Social Demokrate dhe koalicioni i kryesuar prej saj ka siguruar 28 deputetë. Përsa i përket bllokut shqiptar, BDI ka marrë 13 deputetë dhe PDSH 14 deputetë.

Dy subjektet e tjera shqiptare, Partia për Prosperitet Demokratike dhe Partia për Ardhmëri Europiane do të kenë nga një vend në legjislaturën e re. Kjo pasqyrë nuk është përfundimtare pasi rezultati mund të ndryshojë me përsëritjen e votimit në disa qendra, sidomos për sa u përket partive shqiptare.

Ndërkaq, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshoski, deklaroi se në qeverinë e re do të ketë një parti shqiptare edhe pse VMRO-DPMNE ka siguruar shumicën. Sipas tij pjesëmarrja e dy partive shqiptare në zgjedhje, do të ndikojë dukshëm në vendimin se kë do të zgjedh VMRO-DPMNE për partner qeveritar.

Procesi zgjedhor në Maqedoni u dënua ashpër nga Departamenti Amerikan i Shtetit, sipas së cilit shkeljet kanë qenë serioze. Sipas Uashingtonit, Maqedonia duhet të ndërmarrë masa për përmirësimin e këtyre problemeve, që kjo çështje të mos dëmtojë aspiratat euroatlantike./tvklan.al