“Baba i 3 fëmijëve dhe me pushtet politik”

Talk show i ri nën drejtimin e moderatores, Mirela Milori nisi sot puntatën e tij të parë në TV Klan. “Historia ime”  do të sjellë për shikuesit, aktualitet dhe tematika të ditës, investigime që shkojnë përtej lajmeve të kronikave, rrëfime njerëzore dhe të vërteta. Ky format do të ofrojë për publikun histori, të cilat do të identifikohen me problematika dhe tematika të ndryshme. Opinionet dhe reflektimet e ekspertëve të fushës së psikologjisë dhe asaj ligjore nuk do të mungojnë në interpretimin e çdo rasti që do të trajtohet në program.

Historia e parë e përcjellë ishte një denoncim i fortë, i një avokateje të njohur në Tiranë, Denisa Daka.  Ajo solli një pjesë të realitetit, pikërisht atë të ngacmimeve seksuale në punë.  Një vajzë ka trokitur në derën e saj dhe ka treguar historinë e ndjeshme dhe prekëse të jetës së saj. Vajza ishte shantazhuar prej muajsh nga punëdhënësi i saj. I duhej të punonte dhe studionte njëkohësisht, pasi familja nuk mund ta suportonte financiarisht.

Gjatë rrëfimit të saj për avokaten, ajo i kishte treguar se punëdhënësi i saj, babai i tre fëmijëve prej muajsh, i kërkonte pareshtur që krahas punës të plotësonte dhe dëshirat e tij seksuale, për të siguruar pagën aty. Si rezultat i këtij shantazhi, e reja vendos të braktisë vendin e punës, që ishte njëkohësisht dhe mundësia e vetme për të mbijetuar këtu në Tiranë.

Kërkoi të niste një proces gjyqësor kundër punëdhënësit të saj, por kur u njoh me procedurat që do të ndiqeshin kundra tij, e frikësuar nga pasojat u tërhoq të vijonte betejën ligjore.

Përveç avokates Denisa Daka, e cila e kishte bërë publik rastin përmes rrjeteve sociale, e ftuar në “Historia Ime” ishte edhe Presidentja e Urdhrit të Psikologut, Valbona Treska.

Mirela Milori: Një histori e fortë në fakt.  Unë doja të dija si erdhi vajza në studion tënde?

Denisa Daka: Ka qenë moment delikat në fakt, janë dhjetëra vajza që trokasin në dyert tona me histori të ngjashme, të cilat nuk duan t’i publikojnë, nuk duan t’i denoncojnë, dihen arsyet tashmë janë shumë arsye. Kjo ishte një vajzë e re studente, nga një qytet i largët i Shqipërisë dhe i duhej të punonte dhe studionte njëkohësisht pasi nuk kishte të ardhura të mjaftueshme financiare. Kishte filluar punë në një kompani të madhe ndërkohë që punëdhënësi i saj, një njeri me kredibilitet dhe politik në fakt, kurrsesi nuk do të nxjerr të dhëna, e kishte shantazhuar për muaj me radhë, për t’i ofruar favore seksuale. Vajza ishte e prekur, e lënduar, ishte e fyer njëkohësisht dhe kërkoi të niste një betejë ligjore.

Mirela Milori: Mund të di moshën e saj?

Denisa Daka: Ishte 21 vjeç. Në vitin e dytë apo të tretë në fakultet. E kishin prezantuar tek unë, pasi unë vërtet luftoj fort edhe mundohem ti suportoj të tilla raste, edhe kur të tjerët nuk i pranojnë dhe i anashkalojnë.  Menjëherë u mundova ta suportoj në llojin tim, duke i treguar atë skedën e betejës ligjore në këtë rast. I shpjegova se nëse do depozitoheshin prova në rastin specifik, punëdhënësi do dënohej 1 deri në 5 vjet burg. Këtu ka pasur një pauzë të gjatë nga ana e saj dhe ajo vendosi të tërhiqej.

Mirela Milori: Prova të mjaftueshme kishe në duar, që të kuptohej që kishim të bënim me një ngacmim?

Denisa Daka: Kishte dhjetëra mesazhe në celularin e saj, ishte shantazhuar në çdo orë të ditës, në çdo orë të natës gjithashtu. Shantazhi ishte ekstrem deri në masën që do i rrezikohej paga, rroga. Ai do ta referonte tek punëdhënës të caktuar, që mos fillonte punë. Ky ishte shantazh i mjaftueshëm për një të re që të tërhiqej. Megjithëse i sigurova një suport të fortë moral dhe ligjor në këtë rast, me siguri në kokën e saj kanë kaluar një kalvar vuajtjesh që moshatare të saj e kanë kaluar dhe unë e mirëkuptova.

Mirela Milori: Më the për personin që ka pushtet politik, është i martuar?

Denisa Daka:Babai i tre fëmijëve.

Mirela Milori: Me çfarë diference me vajzën? Vajza është 21 vjeç, ai sa vjeç?

Denisa Daka: Nuk i hyj analizën numerike, por jemi gati një rast pedofilie. Se flasim për një burrë të moshuar dhe një vajze të re.

Vajza nuk kishte guxuar ta ndante me askënd këtë makth nga frika se do të paragjykohej apo do të humbte lidhjen me familjen dhe miqtë e saj. /tvklan.al