Punimet për By – Passin e Tepelenës po vazhdojnë me intensitet të lartë. Ndërtimi i 2.1 kilometrave të këtij segmenti ka hasur vështirësi inxhinierike për shkak të shtratit të lumit që rrezikonte shembjen e kalasë së Ali Pashë Tepelenës. Për të bërë këtë izolim, kompania ka vendosur 300 pilota dhe perde të papërshkrueshme nga uji.

“Është parashikuar mbrojtja lumore, e cila në masën 99 përqind është përfunduar duke u vendosur pilota dhe perde të papërshkrueshme nga uji për ta siguruar të gjithë shpatin pasi kishim probleme të gërryerjes nga lumi”, thotë inxhinieri Arben Dervishaj.

Për shkak të punimeve, kalimi i automjeteve gjatë këtij sezoni turistik mund të krijojë probleme për trafikun, ndërsa Autoriteti Rrugor po merr masa që aksi të jetë i lirë gjatë kësaj periudhe.

“Po marrim masa provizore që për sezonin turistik aksi të jetë i lirë dhe të mos krijojë shqetësime për trafikun dhe ngarkesën që do ketë rruga ku do të lidhet me jugun e vendit”, shprehet Sonila Qato.

Ministrja Belinda Balluku kërkoi që kjo vepër të dorëzohet përpara afatit të kontratës.

“Strategjia e re për të kompensuar të gjitha humbjet e kohës në të shkuarën është që të dorëzojmë vepra para afatit. Kjo është diçka që po e bëjmë 6-mujorin e fundit dhe duam që të vazhdojmë me të njëjtin ritëm”.

Punimet për By – Passin e Tepelenës nisën në Korrik të vitit 2018 dhe parashikohet të përfundojnë sipas kontratës në Korrik të vitit që vjen. Rruga do të lidhë segmentet Levan-Tepelenë dhe Tepelenë –Gjirokastër – Kakavijë duke u bërë një nyje e domosdoshme për korridorin jugor të vendit. Në të dy anët e rrugës parashikohet ndërtimi i dy korsive 2.5 metra secila dhe ndërtimi i trotuareve përgjatë kalasë. Vepra do të kushtojë 2.9 miliardë Lekë.

Tv Klan